Qytetarë serbë janë mbledhur në veri të Mitrovicës, pasi në mesditë u dëgjuan sirenat në atë zonë.
Sirenat më vonë u ndalën, por qytetarët Akoma po qëndrojnë të mbledhur në një pjesë të Mitrovicës Veriore.
Siç raporton medium serb “Kossev”, qytetarët janë dukshëm të pakënaqur me situatën dhe publikisht shprehin pakënaqësinë e tyre me Listën Serbe dhe brohorasin kundër presidentit serb, Aleksandër Vuciq.
Këto zhvillime ndodhën pas arrestimit të një personi, për të cilin dha detaje Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, njoftoi Sveçla.