Die. Nën 24th, 2024

Ngritet aktakuzë ndaj ish-policit serb, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 19 civilë shqiptarë në afërsi të Pejës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.GJ, i nacionalitetit serb, nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

I pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit Janar 1998 deri me 21 qershor 1999, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe me datë 07.05.1999 fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim, e pastaj filluan një ofensive ushtarako-policore duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç ‘rast u vranë (19) civilë të nacionalitetit shqiptarë.

Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *