Sht. Nën 23rd, 2024

Veriu po dëmton edhe ekonominë, masat e BE ndaj Kosovës po konsiderohen të padrejta e të rënda

Masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës për mos qetësimin e situatës në veri, po konsiderohen të padrejta. Lëvizja Vetëvendosje në pushtet kërkon që Unioni të ndëshkojë edhe Serbinë, ndërsa nënvizon se qeveria e Albin Kurtit po punon për thellimin e demokracisë në përputhje me vlerat e BE-së.

“Nuk do të duhej që të dërgonte këso sinjale për sanksione ndaj Kosovës. Sanksionet duhet t’i vendosen Serbisë, tashmë të gjithë këtë e dinë, mirëpo fatkeqësisht qëndrimi i tyre është i padrejtë dhe ne po mundohem t’iu sqarojmë se Kosova është në rrugën e saj të drejtë dhe nuk ka sens që të vendosen sanksione mbi Kosovën”, shprehet Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Analistët i bëjnë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të reflektojë e të pranojë planin trepikësh të Bashkimit Europian për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.

“Kushtet evropiane edhe me mbështetjen amerikane duket se janë të panegociueshme. Si të tilla duhet kuptuar dhe sa më herët aq më përparësi e mirë do të jetë për Kosovën. Pasi nëse bëhet vonë që ne të arrijmë të jemi në hap me faktorin ndërkombëtar, atëherë goditjet për neve do të jenë më të mëdha”, thotë analisti Visar Xani.

Kriza e vazhdueshme dhe e pazgjidhur në veri nuk po sjell vetëm pasoja politike për Kosovën, por edhe ekonomike.

“Asnjë investitor nuk dëshiron të investojë në një vend ku nuk ka siguri për të investuar kapitalin e tij. Para se të shoh pjesën e taksave, infrastrukturën ligjore e atë teknike, është siguria”, shprehet eksperti Mustafë Kadrijaj.

“Brenga më e madhe është jo vetëm në procesin intern që po dëmtohen bizneset ekzistuese, por edhe po dëmton në imazhin e Kosovës. Askush nuk do të vijë të investojë në një vend ku nuk ka stabilitet politik, në një vend ku mbyllen kufijtë qoftë për lëndë të parë apo prodhime finale, e tëra kjo po e dëmton Kosovën çdo ditë e më tepër”, shprehet Safet Gerxhaliu, ish-kryetar i odës ekonomike të Kosovës.

Ndërkohë, Kosova mbetet me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *