Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Ekaterina Trendafilova dhe Administratorja dr. Fidelma Donlon janë duke qëndruar për vizitë dy ditore në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme Trendafilova pati takime me Shoqërinë Civile si dhe mbajti një konferencë për media.
Por, a pati takime Trendafilova me ndonjërin prej krerëve të institucioneve të Kosovës?
Zyra e kryeministrit të Kosovës, në një përgjigje me shkrim kanë thënë se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti nuk ka zhvilluar asnjë takim me kryetaren e Speciales, Trendafilova.
“Zyra e Kryeministrit ju konfirmon që nuk ka pasur takim ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.
Edhe këshilltar i presidentes, Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka mohuar se Osmani ka takuar Trendafilovën.
“Nuk është e vërtetë që Presidentja Osmani është takuar me znj. Trendafilova”, ka thënë Kupina.
Ndërsa, Michael Doyle zëdhënës i Dhomave të Specializuara, ka thënë se përveç takimeve me shoqërinë civile, Trendafilova do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë përfshirë edhe përfaqësues të shteteve të BE-së.
Po ashtu Doyle ka konfirmuar edhe takimin me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Gjatë vizitës në Kosovë, kryetarja dhe administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës u takuan me shoqërinë civile dhe me mediat. Ato do të takohen edhe me zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe me shefin e Misionit te Eulex-it, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së dhe po ashtu me ministren e Drejtësisë, në mënyrë që të japin informacione publike për mandatin e gjykatës, administratën dhe aktivitetet e tanishme”, ka thënë ai.
Trendafilova gjatë ditës së sotme ka qëndruar edhe në veri të Mitrovicës.
Ndryshe, konferenca e Trendafilovës dje në Prishtinë, u pengua nga aktivistët e Partisë Socialdemokrate, ku qoi edhe në arrestimin e pesë aktivistëve, përfshirë këtu edhe kreun e kësaj partie Dardan Molliqaj.