Sht. Nën 23rd, 2024

Abdixhiku: Asgjë më pak as më shumë se sa marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen

Në kuadër të ciklit debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, kryetari Lumir Abdixhiku ka qëndruar në Viti ku ka diskutuar me qytetarë dhe struktura të kësaj komune.

Gjatë këtij takimi kryetari Abdixhiku rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e LDK-së rreth procesit të dialogut.

“Qëndrimi i LDK-së për procesin e dialogut është që duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme dhe duhet të përmbajë aktin kur Serbia e njeh Kosovën, dhe kur Kosova ndërsjellazi e njeh Serbinë.
Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka thënë kryetari Abdixhiku.

Ai po ashtu ka folur edhe për pozicionin e Kosovës si dhe raportet me ShBA-të, ku sipas LDK-së pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është rënduar.

“Me veprimet e pamatura, pa qenë i koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me aleatë, Kryeministri e ka larguar Kosovën nga ky synim. Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arrtijen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Nuk flitet për njohje të ndërsjellë dhe nuk flitet për një marrëveshje përfundimtare. Tani flitet për marrëveshje bazë që nuk e ka njohjen reciproke”, ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu ka theksuar se: “Përveç Kryeministrit, askush nuk e di se çka po diskutohet. Nuk dihet çka përmban hyrja e marrëveshjes dhe as shtojca e kësaj marrëveshje. Tema të tilla duhet të trajtohen me përgjegjësi dhe nga Kryeministri do të kërkohet përgjegjësi”, ka përfunduar Abdixhiku.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në drejtim të mbarë dhe cdo ditë po shton rradhët e veta, sepse po dëgjon, po flet me qytetarë dhe po qëndron përballë popullizmit; ndërsa forcimi i LDK-së është ndryshimi që i duhet Kosovës.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *