Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një video-materiali, numëron dështimet e Qeverisë Kurti, të cilën e vlerëson si mashtruese dhe prodhuese të propagandës.
“Prodhimtaria e propagandës së Kurtit, vjen si pasoj e dështimit të tij në përmbushjen e zotimeve, ndërkaq, specifikohet se shkaktar kryesor i ngarkesës me të kaluarën është pikërisht paaftësia qeverisëse”, thotë Abdixhiku.
Më pas, Abdixhiku ka paraqitur zotimet dhe dështimet e pushtetit si në vijim:
-Ndërtimin e 160 çerdheve në Kosovë, duke potencuar se nuk është ndërtuar asnjë.
-Për ndërtimin e 4000 banesave për çifte të reja me 120 euro këst mujor, për çka thotë s’është vendosur asnjë gurthemel për to.
-Ngritjen e çmimeve të produkteve bazike për plot 50%.
-Për zotimin për sigurime shëndetësore deri në vitin 2022 dhe premtimin për përfundimin e rrugëve magjistrale nëpër Kosovë, me ç’rast vlerëson se s’ka pasur asnjë lëvizje.
-I përmend ekzekutivit edhe reciprocitetin e premtuar me Serbinë, gjersa ia kujton rritjen e importit nga ky vend.
-I përmend edhe rritjen e çmimit për energjinë dhe ikjen e të rinjve nga Kosova.
Abdixhiku nuk ka lënë pa e përmendur edhe “kapjen” e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, si: RTK, BQK, AKP etj., duke thënë se është mbushur me militantë partiak.
Në fund të këtij video-materiali, Abdixhiku, nënvizon se në ditët në vijim, LDK do të paraqesë planet që ofrojnë ndryshime konkrete në çdo fushë.
“Duke konstatuar se ky s’është ndryshimi që Kosova meriton, LDK ka premtuar se ditëve në vijim do të paraqesë planet konkrete që ofrojnë ndryshime konkrete në çdo fushë”, thotë Abdixhiku, në fund të video-materialit