Në përvjetorin e 26-të të betejës së lavdishme të Koshares, kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare. Ai tha se nderojnë të gjithë që dhanë jetën për liri.
“Sot me bashkëpunëtorët e mi të LDK-së, por mbi të gjitha me heronjtë e gjallë të betejës së Koshares nderuam një ndër betejat më madhështore të UÇK-së, atë të Koshares, 26 vjet më parë. Djemtë dhe vajzat më të mira të vendit nisën thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me këtë nxitën dritën e parë të triumfit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Sot nderojmë 130 martirët dhe heronjtë e rënë, Agim Ramadanin, Sali Çekajn dhe gjithë të tjerët që dhanë jetën, më të shtrenjtën, për lirinë tonë dhe për brezat e ardhshëm”, tha Abdixhiku.