Bosnje dhe Hercegovina shënoi sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
Në këtë përvjetor, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një kumtese, ka thënë se gjenocidi në Srebrenicë është tragjedia më e madhe që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Abdixhiku madje thekson se mohimi i gjenocidit e krimit kundër njerëzimit nga Serbia, edhe sot e kësaj dite, tregon për mosndryshueshmërinë politike të këtij shteti.
Ja njoftimi:
“Gjenocidi në Srebrenicë është tragjedia më e madhe që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Vrasja e gjakftohtë e mbi 8000 civilëve boshnjak nga aparati shtetëror e represiv serb, është dëshmi se plagët në Ballkan janë të thella e të rënda – mbi të gjitha të paharrueshme.
Mohimi i gjenocidit e krimit kundër njerëzimit nga Serbia – edhe sot e kësaj dite – tregon për mosndryshueshmërinë politike atje. Sëkëndejmi, edhe për mungesën e paqes e vullnetit për qetësi në rajon.
Kosova ndjenë me datat si 11 korriku, sepse njëtrajtësisht ishte viktimë e spastrimit etnik serb. Prandaj edhe sot pas 26 vitesh, si çdo vjet, solidarizohemi dhe bashkëndjejmë për të gjitha viktimat që janë vrarë dhe masakruar pafajësisht nga regjimi shfarosës serb.” – Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së