Mar. Nën 26th, 2024

Abelart Tahiri kerkon dakordim nga opozita per zgjedhje te reja

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar sot se nëse për dy ditë nuk arrihet dakordimi me partitë politike për shkuarje në zgjedhje të parakohshme deri më 30 maj, atëherë Qeveria Kurti do të vazhdojë mandatin e saj.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se do të vazhdojnë konsultimet për zgjedhje të parakohshme, në të kundërtën ka paralajmëruar se do të dëmtohet Kosova.

Tahiri: Vazhdojmë konsultimet për zgjedhje të jashtëzakonshme

“Ju tashmë jeni të njoftuar në raport edhe me një letër të cilën kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka drejtuar kryetarëve të partive politike parlamentare dhe rrjedhimisht konsiderojmë që mos mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, në këtë rast mos shpërndarja e Kuvendit do të jetë edhe një dëm që do t’i bëhet vendit tonë në raport me këtë qeverisje jashtëzakonisht të dobët që kemi. Ju e shihni që vendi ynë vazhdon të jetë nën masa dhe sanksione nga BE, në anën tjetër dështimet në politikën e jashtme janë të njëpasnjëshme. Në rrafshin e brendshëm për tri vjet e gjysmë nuk është që kemi shënuar ndonjë sukses, i cili vlen të përmendet në më shumë se tri qeverisje nga kryeministri Kurti dhe LVV. Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit kanë mbetur edhe dy ditë hapur ajo dritarja kushtetuese që vendit t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor apo 7 korrik. Pa dyshim, që dy ditët e ardhshme do t’i japin një epilog kësaj çështjeje dhe do të presim deri në momentin e fundit dhe do t’i vazhdojmë konsultimet dhe thirrjet tona deri në momentin e fundit që vendi ynë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që vjeshta apo shtatori ta zë vendin tonë në qeveri të ri, me një kryeministër të ri”, deklaroi ai.

Nëse nuk do të ketë seancë gjatë kësaj jave, Tahiri theksoi se qeveria do të vazhdojë mandatin e saj.

Tahiri: Nëse këto dy ditë nuk kemi dakordim, qeveria do të vazhdojë mandatin

“Nuk jemi as për të blerë kohë, as për të shitur kohë. Ajo çfarë është e rëndësishme që dritarja kushtetuese tashme veçse po mbyllet, i kemi edhe dy ditë. Në rast se edhe këto dy ditë nuk kemi një dakordim, që më së largu ditën e enjte, 30 maj, të shpërndahet Kuvendi, atëherë normalisht që ky opsion tashmë bie dhe qeveria do ta përfundojë mandatin dhe po ashtu edhe Kuvendi do ta përfundojë mandatin kushtetues të rregullt dhe zgjedhjet do t’i kemi në periudhën mes 20 janarit dhe 20 shkurtit të vitit të ardhshëm”, tha ai.

I pyetur se kush i është përgjigjur ftesës së Partisë Demokratike të Kosovës, Tahiri theksoi se nuk është thirrje për takim simbolik, por që u bën thirrje partive politike të reflektojnë për kërkesën e kësaj partie për shpërndarjen e Kuvendit.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *