Sht. Nën 23rd, 2024

Abrashi e Kadrijaj debatojnë ashpër për videon e postuar nga VV

Deputeti i LVV, Artan Abrashi ka thënë se LVV-ja nuk do të ndalet para asnjë situate të sabotazhit. Një video e tillë sipas Kadrijaj nga radhët e AAK-së, është komentuar sikurse largimi nga problemet aktuale të cilave nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka thënë se përgjatë këtyre ditëve duke qenë dëshmitar të një sulmi të bashkuar opozitar i cili sipas tij ishte më se i dukshëm, ai ka thënë se të treguarit spektrit opozitar se kush ka qenë, bëhet më së miri përmes videos dy minutëshe të postuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një lidhje në RTV Dukagjini, Artan Abrashi ka thënë se për akuzat e deritanishme ndaj LVV-së, duhet poseduar një imagjinatë e bujshme.

“Akuza të paqena, akuza të pavërteta, shpifje të cilat duhet imagjinatë e bujshme, e shfrenume. Neve na mbetet një zgjedhje që përmes një videoje dy minutëshe të ia kujtojmë partive opozitare se kush ka qenë”, ka thënë Abrashi.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e deputetes nga radhët e AAK-së, Kadriaj sipas së cilës Vetëvendosja ka harruar se çfarë aktesh realizonte në kohën kur ishte në opozitë.

“Po harroni kur keni qenë në opozitë, çka i keni bërë shtetit, keni djeg institucionet, keni goditur policinë…Çfarë demokracie? Ju keni dëmtuar demokracinë, për çfarë demokracie po folni”, është përgjigjur Kadrijaj gjersa Abrashi ka thënë se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Vetëvendosja është përballur me keqqeverisjen e 20 viteve të fundit.

Sipas Kadrijaj, gjithmonë kur LVV-ja nuk mund të gjejë zgjedhje për temat sikurse greva apo kriza energjetike, kjo e fundit tenton të merret me diçka tjetër në vend se të gjejë një zgjidhje për problemet aktuale.

“Ky pushtet nuk do të ndalet para asnjë situate të sabotazhit, kërcenimeve…ne do të vazhdojmë dhe nuk do të ndalemi. LVV është i vetmi subjekt që nuk ua ka frikën…”, ka deklaruar Abrashi.

Një debat i tillë vie pas publikimit të një videoje të LVV-së përmes së cilës, kjo e fundit ka kritikuar opozitën, duke thënë se për 20 vjet rresht në Kosovë kanë qeverisur “shkatërruesit e shtetit” që nuk duan ta shohin Kosovën mirë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *