Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga Haga ka shkruar për masakrat e kryera nga serbët në Pastaselë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës 23 vjet më parë.
Haxhiu, e cila shkoi në qytetin holandez për t’i takuar ish-pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale thotë se “bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë”.
“Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë”, shkroi ajo.
Haxhiu tha se “23 vjet më parë Kosova po përjetonte gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile”.
“Një pranverë e cila po karakterizohej me operacione shoviniste të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare. Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Në Burim (Joviq) të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç”, shkroi ajo.
“Drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe për popullin e Kosovës. Institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.