Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves, theksoi rëndësinë e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Themelore dhe Marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët. Në një intervistë për KoSSev, ambasadori Hardgraves, shprehu pakënaqësi lidhur me negociatat e zvarritura, të cilat kanë penguar përparimin drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme në rajon.
“Për mua është e qartë se Kosova ka një vizion të qartë si shtet modern, demokratik, multietnik dhe evropian. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur këtë dhe për të nxitur paqen dhe stabilitetin në këtë rajon. Por kjo nuk do të realizohet plotësisht derisa të gjitha aspektet e Marrëveshjes Themelore dhe Marrëveshjes së Ohrit të jenë zbatuar, si në anën kosovare ashtu edhe në atë serbe”, tha ai.
Hargreaves kujtoi se Mbretëria e Bashkuar kishte kritikuar më parë veprime të tjera nga Qeveria e Kosovës. “Qoftë lëvizja e papritur në dinarë, apo mbyllja e bankave serbe të kursimeve postare dhe degëve të Postës Serbe. Jam bashkuar me komunitetin ndërkombëtar për t’i kërkuar kryeministrit që të sigurojë që qeveria e tij po ndërmerr një veprim të tillë në bashkërendim me ne dhe me komunitetet lokale, në mënyrë që ato të ndodhin në mënyra që mbrojnë njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje”.