Ambasadori i Greqisë në Beograd, Giorgos Giakofotakis, ka thënë të enjten se Athina nuk do ta ndryshojë qëndrimin në raport me Kosovën.
“Greqia nuk po ndryshon qëndrim dhe nuk do ta njohë Kosovën”, tha Giakofotakis në një intervistë për Tanjug.
Megjithatë, ambasadori grek ka theksuar se Greqia ka raporte të mira me Kosovën në fushën e ekonomisë dhe atë të tregtisë.
“Greqia bashkëpunon me Kosovën në kuadër të organizatave rajonale të Evropës Juglindore”, ka deklaruar ai.
Autoritetet në Kosovë shpesh kanë thënë se Greqia do ta njohë Kosovën. Zyrtarët e lartë grekë vijnë në Kosovë duke e pranuar edhe flamurin e shtetit.
Edhe zyrtarët kosovarë kanë vizita në Athinë. Por njohja s’ka ardhur. Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE) që ende nuk e ka njohur Kosovën, bashkë me Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron.