Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetim e Trafikimit me Narkotikë-Sektori Qendror, pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit në Prizren, më 10.06.2023, rreth orës 11:00, kanë realizuar operacioni policor i koduar ‘Vera’, me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të lëndëve narkotike dhe arrestimit të personave të përfshirë në veprimtari penale.
Policia ka kryer kontrolle në dy lokacione në Prizren, ku në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar 10 kg e 414 gramë, dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë. Dyshohet se marihuana ishte e destinuar për tregun ndërkombëtar (Turqi) dhe në treg kap vlerën përafërsisht 36 mijë e 500 euro.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe prova tjera që lidhen me rastin. Po ashtu janë arrestuar dy të dyshuar: O.F., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1976) dhe A.U., (mashkull shtetas i Turqisë, viti i lindjes 1970).
Policia ka intervistuar të dyshuarit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’. Me vendim mbi ndalimin e personit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.