Humbja e logos dhe vulës zyrtare të Partisë Demokratike do të shoqërohet me kosto financiare për Lulzim Bashën, i cili duhet t’i dorëzojë Sali Berishës jo vetëm simbolet, por edhe arkën e partisë.
Financat e PD-se janë ende në proces transferimi, por pasi të merren në zotërim, organet e reja drejtuese do të nisin një audit të thellë.
“Ne për shkak të ligjit kemi detyrim për raportim pranë KQZ. Kjo do të thotë që për shkak se institucionet drejtuese të PD-së jo vetëm nuk i kanë poseduar llogaritë bankare, por edhe nuk kanë dijeni për veprimet financiare që janë kryer që nga momenti i marrjes në dorëzim të tyre çdo gjë do i dorëzohet një auditimi të rreptë”, shprehet sekretari për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore në PD, Ivi Kaso.
Në llogarinë bankare të Partisë Demokratike, shuma më e fundit që u derdh është fondi vjetor që KQZ u shpërndau partive politike. Lulzim Basha, si kryetar me letra i partisë më të madhe te opozitës, përfitoi një bonus financiar prej 1 milion euro, por pas vendimit të Apelit do të humbasë çdo të drejtë mbi PD.
“Me zbardhjen e vendimit të Apelit është Gjykata e Tiranës, regjistri i partive politike që do të regjistrojë në mënyrë automatike shkarkimin që demokratët i kanë bërë ish-kryetarit Lulzim Basha në 11 dhjetor 2021 dhe do të regjistrojë organet e reja të Partisë Demokratike. Pra, është një procedurë automatike“, shpjegon Kaso.
Lulzim Basha ka paralajmëruar krijimin e një partie politike, ndërsa ka provokuar me imazhin e ri të logos së partisë, të cilës i shtoi shtesën demokratët euroatlantikë. Por, për juristin Ivi Kaso, ligji flet qartë për kopjimin e simboleve.
“Ligji për partitë politike dhe dispozitat e kodit zgjedhor janë shumë të qarta ku sanksionet që emri i një partie apo force të re që mund të krijohet nuk duhet të jetë asnjë mënyrë të ngjashme me një force ekzistuese aq më tepër të një force historike si PD”, thotë juristi.
Lulzim Basha nuk pajtohet me vendimin e Apelit, duke paralajmëruar rekurs, por kjo gjë duket se nuk shqetëson kastën e re drejtuese të Partisë Demokratike./TCH