Sht. Nën 23rd, 2024

Baraliu: Qeveria Kurti nuk obligohet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu vlerëson se Qeveria aktuale Kurti nuk e ka asnjë obligim për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe.

Duke marr për shembull edhe administratën e ish-presidentit Trump, Baraliu thotë se është e drejtë legjitime e çdo qeverie që të mos vazhdojë të implementojë marrëveshje të tilla të dëmshme për vendin.

“E kemi rastin më të freskët ku administrata e Trump nuk vijojë që t’i përmbush obligimet, ose marrëveshjen me Iranin që është bërë në planin global pothuajse, nga Perëndimi dhe të tjerët dhe marrëveshja tregtare me Kinën, apo ajo për ngrohjen globale. Pra është legjitime për një qeveri që të mos zbatojë marrëveshjet paraprake”, tha ai në InfoBox.

Baraliu beson se Asociacioni i Komunave Serbe cenon sovranitetin e vendit dhe për këtë akuzon BE-në që vazhdimisht po insiston në implementimin e kësaj marrëveshjeje.

“Asociacioni i Komunave serbe prek sovranitetin e vendit, prek Kushtetutën. Është një insistim i padrejtë i BE-së i cili me vite të tëra nga zonja Ashton e deri te Borreli kërkon me ngulm që të zbatohen një marrëveshje nga një shtet nga i cili vet ata nuk e njohin. Pra, Kosova nuk është e njohur nga BE-ja si një tërësi regjionale, ajo ka qëndrim neutral ndaj Kosovës, ndërsa Serbia nuk e ka hequr ende Kosovën nga Kushtetuta e saj si pjesë të sajë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se më 25 gusht 2015, në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në prani të shefes së atëhershme të diplomacisë evropiane Federica Mogherini, nënshkruan marrëveshjen për Telekomunikacionin, marrëveshjen për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa tha se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive” dhe se “marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.”

Edhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se marrëveshjet “janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës” dhe se “asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.

Pala kosovare dhe bashkësia ndërkombëtare kanë insistuar që të katër marrëveshjet të nënshkruhen së bashku, pasi pala serbe ka qenë më së shumti e interesuar për marrëveshje për asociacionin e komunave me shumicë serbe ndërsa ajo kosovare për tri marrëveshjet e tjera.

Por, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se asociacioni do të ketë kryetarin e vet, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin.

Sipas tij, asociacioni do të vendosë për katër çështjet e marrëveshjes së Brukselit: shëndetësinë, shkollimin, planifikimin rural dhe urban, zhvillimin ekonomik, duke shtuar se Serbia do ta ketë të drejtën ta financojë këtë asociacion, pa paguar tatime apo taksa.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *