I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
Këtë për Portali Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell i ka kërkuar emisarit Lajçak që të udhëtojë drejt Kosovës dhe Serbisë në ditët në vijim.
“Është një pjesë integrale e punës së një emisari të udhëtojë për të parë partnerët në terren. Lajçak është rregullisht në Beograd, Prishtinë, kryeqytetet e BE-së dhe vende të tjera, përfshirë jashtë BE-së, për të kryer punën e tij të përditshme për të çuar përpara Dialogun. Pas Këshillit Evropian javën e kaluar, Përfaqësuesi i Lartë Borrell i ka kërkuar emisarit Lajçak që të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi në ditët në vijim për të diskutuar rrugën përpara”, ka thënë Stano.
BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ato përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor po ashtu nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.