Presidenti Bajram Begaj i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë skemën e ripërtëritjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në një kërkesë dërguar Kushtetueses, kreu i Shtetit tha se kjo gjykatë duhet të shprehet edhe për dy mandate të tjera të anëtarëve si në rastin e Holta Zaçajt.
“Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit për gjyqtaren Zaçaj, por nuk ka vepruar për të deklaruar mbarimin e dy mandateve të tjera që përfshihen në përtëritjen e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016. Nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025. Për pasojë, shkurtimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj i bie të jetë bërë në kundërshtim me Kushtetutën”, shkruan Begaj.
Sipas tij “Nëse është e vërtetë se, “në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës”, ky i fundit prevalon, atëherë Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025 (pika 3 e nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”). Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë Drejtim”.
Kërkesa:
Të nderuar Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 23.12.2024, ka marrë vendimin nr. 84 për
deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj. Gjykata
ka përcaktuar datën 10.3.2025 si datë të përfundimit të këtij mandati.
Gjyqtarja Zaçaj është emërtesë e Gjykatës së Lartë, për mandatin e së cilës Gjykata e Lartë kishte
shpallur vakancën përpara se të merrej vendimi i datës 23.12.2024. Arsyetimi i Gjykatës së Lartë
kishte në themel argumentin se përtëritja e Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet me një të tretën e
përbërjes së saj përbën “detyrim kushtetues që prevalon ndaj kohëzgjatjes 9-vjeçare të mandatit të
gjyqtarit”. Po kështu, Gjykata e Lartë përfaqësonte qëndrimin se, mandati që pasoi mandatin e
përfunduar në datën 10.3.2017, duhet të përfundonte në datën 10.3.2025. (Shih njoftimin e Gjykatës
së Lartë, “Për hapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së
Shqipërisë”, nr. 6186 Prot., datë 11.12.2024).
Gjykata Kushtetuese e ka gjetur të drejtë këtë arsyetim, si për sa i përket zbatimit të parimit të
përtëritjes së pjesshme, ashtu edhe për sa i përket përcaktimit se data për përfundimin e mandatit
duhet të jetë data korresponduese me datën e përfundimit të mandatit paraardhës.
Përtëritja e pjesshme përfshin, sipas Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese, jo një, por tre
mandate. Përtëritja e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese përfshin mandatin që pasoi
mandatin e përfunduar në datën 10.3.2017, (për të cilin Gjykata vendosi me vendimin e datës
23.12.2024), si dhe mandatet që pasuan dy mandatet e përfunduara në datën 25.4.2016, dhe që ishin
mbajtur përkatësisht nga anëtarët Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi. Përtëritja e dytë përfshin
mandatin e lënë nga anëtari Fatmir Hoxha në datën 4.7.2020, mandatin e lënë nga anëtari Bashkim
Dedja në datën 25.5.2019 dhe mandatin e lënë nga anëtarja Altina Xhoxhaj në datën 25.5.2019.
Përtëritja e tretë përfshin mandatin e lënë nga anëtari Gani Dizdari në datën 8.4.2022, mandatin e lënë
nga anëtari Besnik Imeraj në datën 8.4.2022 dhe mandatin e lënë nga anëtari Fatos Lulo në datën
2.5.2022.
Nga ana tjetër, është fakt i provuar dhe i dokumentuarse gjyqtarët: Holta Zaçaj, Elsa Toska dhe Sonila
Bejtja, që janë emëruar/zgjedhur nga Gjykata e Lartë, Kuvendi dhe nga Presidenti i Republikës për
të ushtruar mandatet që i takojnë përtëritjes së parë, janë emëruar përkatësisht në datën 16.1.2023
(mandat i pjesshëm), në datën 11.11.2019 (mandat i plotë) dhe në datën 15.10.2019 (mandat të plotë),
domethënë, me 5 vjet, 10 muaj dhe 6 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Zaçaj, me
3 vjet, 6 muaj dhe 17 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Toska dhe me 3 vjet, 5
muaj dhe 20 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Bejtja.
Gjyqtarët, mandatet e të cilëve i përkasin përtëritjes së dytë, asaj të vitit 2028, janë emëruar/zgjedhur
në datën 15.3.2022 gjyqtari Sandër Beci (me mandat të plotë, kur duhet të ishte zgjedhur me mandat
të pjesshëm), në datën 11.11.2019 gjyqtarja Fiona Papajorgji (mandat i plotë), dhe në datën
13.11.2019 gjyqtarja Marsida Xhaferllari (mandat i plotë), domethënë, me 1 vit, 8 muaj dhe 11 ditë
vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zoti Beci, me 5 muaj dhe 17 ditë vonesë nga mbarimi i
mandatit pararendës zonja Papajorgji dhe me 5 muaj e 19 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit
pararendës zonja Xhaferllari.
Gjyqtarët, mandatet e të cilëve i përkasin përtëritjes së tretë, asaj të vitit 2031, janë emëruar/zgjedhur
në datën 12.9.2022 gjyqtari Ilir Toska (mandat i plotë), në datën 22.12.2022 gjyqtarja Marjana Semini
(mandat i plotë) dhe në datën 7.12.2022 gjyqtari Gent Ibrahimi (mandat i plotë), domethënë me 5
muaj dhe 4 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zoti Toska, me 7 muaj dhe 20 ditë vonesë
nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Semini dhe me 7 muaj e 29 ditë vonesë nga mbarimi i
mandatit pararendës zoti Ibrahimi.
Në vendimin e datës 23.12.2024, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur në konsideratë se “Kushtetuta
parashikon si datë të fillimit të detyrës betimin para Presidentit të Republikës, (neni 129), kurse neni
8, pika 3 e ligjit organik, ndërsa përmban të njëjtin parashikim për fillimin e mandatit, përcakton se
mbarimi i tij është në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, përveç rasteve kur Kushtetuta
parashikon ndryshe”.
Mandati i gjyqtares Zaçaj ishte përcaktuar në Kushtetutë të ishte mandat 8-vjeçar (Kushtetuta ka
përcaktuar vetëm dy mandate 8-vjeçare në plotësimin fillestar të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese,
që të dyja në shërbim të mekanizmit të përtëritjes së pjesshme, mandatin që do të pasonte në vitin
2017 mandatin e anëtares Vitore Tusha dhe mandatin që do të pasonte në vitin 2020 mandatin e
anëtarit Fatmir Hoxha). Pavarësisht nga kjo, Gjykata ka çmuar në rastin e kësaj vendimmarrjeje se
mandati mund të shkurtohet edhe më shumë në rast se emërimi është kryer kohë pas mbarimit të
mandatit të gjyqtarit paraardhës (në rastin e gjyqtares Zaçaj, Gjykata ka përcaktuar një mandat faktik
prej 2 vjet, 1 muaj dhe 13 ditë).
Gjykata shprehet se, “referuar përmbajtjes së nenit 179, pika 3 të Kushtetutës, që është norma që gjen
zbatim në rastin në shqyrtim, duhet theksuar se bëhet fjalë për situatë kalimtare, qëllimi i së cilës
është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës”. Gjithashtu, ajo arsyeton se “në rastin
konkret, mandati kushtetues është kufizuar nga vetë norma kushtetuese (dispozita kalimtare), e cila
ka parashikim të ndryshëm nga rregulli i përgjithshëm i kohëqëndrimit në detyrë dhe mbarimit të
mandatit”.
Por situata kalimtare nuk vlen vetëm për mandatin e zonjës Zaçaj. Përndryshe, arsyetimi i Gjykatës
nuk do të kishte kuptim. Situata kalimtare vlen për gjithë dispozitën e nenit 179, qëllimi i të cilës ka
qenë të sigurojë kalimin pa ngërçe nga njëra trupë tek tjetra në momentin e ndryshimeve kushtetuese,
në mënyrë të veçantë përtëritjen e pjesshme të trupës në intervalet 2025, 2028 dhe 2031. Prandaj, ajo
është transkriptuar në pikën 4 të nenit 86 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe
funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, me formulimin:
4. Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas
skemës së parashikuar më poshtë:
a) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2016,
emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
b) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017,
zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2025.
c) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2019,
emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
ç) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020,
zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2028.
d) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2022,
emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe
nga Gjykata e Lartë.
Sipas kësaj skeme, do të ishin kalimtare jo vetëm dy mandatet 8-vjeçare, të cilat kushtetutëbërësi i
shkurtoi me qëllimin që të përfundonin në vitin 2025 dhe në vitin 2028, por kalimtare do të ishin të
gjitha mandatet fillestare, prej të cilave dy mandate të plota duhet të mbaronin në vitin 2025, dy
mandate të plota duhet të mbaronin në vitin 2028 dhe tre mandatet e fundit të plota duhet të mbaronin
në vitin 2031.
Gjykata ka vërejtur në vendimin e saj se çështja e gjyqtares Zaçaj “lidhet me garantimin e përtëritjes
së rregullt të përbërjes së gjykatës pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016”, se “qëndrimi në detyrë
dhe kohëzgjatja e mandatit të saj ka të bëjë me kuptimin e nenit 179, pika 3 të Kushtetutës, të normave
të tjera kushtetuese, për aq sa ato lidhen me të, të normave të ligjit nr. 8577/2000 të Gjykatës, si dhe
të akteve të procedurës së zgjedhjes së saj”, se “parashikimi kushtetues që ka vendosur
rregullin/sistemin e përtëritjes periodike dhe të pjesshme të përbërjes së Gjykatës është vlerësuar se
garanton vazhdimësinë e jurisprudencës dhe kombinimin e përvojës së Gjykatës, duke qenë, po ashtu,
mjet për garantimin e pavarësisë së saj, për sa kohë mandati i gjyqtarëve nuk përplaset me
kohëzgjatjen e mandatit Presidencial dhe atij parlamentar, por i tejkalon ato”, se kushtetutëbërësi në
ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës, i ka kushtuar
vëmendje të veçantë këtij të fundit”.
Nga ana tjetër, po i njëjti vendim (nr. 84, datë 23.12.2024) përcakton se “nën logjikën e zbatimit të
parimit kushtetues të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës, momenti i mbarimit të mandatit të gjyqtarit
paraardhës (zonjës Vitore Tusha) duket se ka lidhje me kohëzgjatjen e qëndrimit në detyrë të gjyqtarit
që e ka zëvendësuar atë (zonjës Holta Zaçaj)”, se “kjo lidhje mes mbarimit të mandatit të gjyqtarit
paraardhës dhe fillimit (ideal) të qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri duket se është pasur në
konsideratë nga ligjbërësi kushtetues në dispozitën kushtetuese kalimtare, sikundër në vijim edhe nga
ligjvënësi në veçanti për sa u përket ndryshimeve të bëra në nenin 86 të ligjit nr. 8577/2000 në lidhje
me kohën e qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri në funksion të zbatimit të parimit kushtetues të
përtëritjes së përbërjes së Gjykatës”.
Por, Gjykata Kushtetuese nuk ka shprehur në analizën e saj asnjë konkluzion lidhur me impaktin që
arsyetimi i saj për “parimin organizativ të përtëritjes së rregullt të pjesshme” dhe për “lidhjen mes
mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës dhe fillimit të qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri” ka
mbi mandatet e të gjithë gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Sikurse u shtjellua më lart, të
gjithë gjyqtarët kushtetues ndodhen aktualisht në kushtet e humbjes së kësaj lidhjeje dhe, për këtë
shkak, kohëzgjatja 9-vjeçare e mandatit të secilit prej tyre shtrembëron zbatimin e parimit të
përtëritjes së rregullt të pjesshme të Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit për gjyqtaren Zaçaj, por nuk ka vepruar për
të deklaruar mbarimin e dy mandateve të tjera që përfshihen në përtëritjen e parë pas hyrjes në fuqi
të ndryshimeve të vitit 2016. Nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i
bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të
pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025. Për pasojë, shkurtimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj i
bie të jetë bërë në kundërshtim me Kushtetutën.
Nëse është e vërtetë se, “në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes
së Gjykatës”, ky i fundit prevalon, atëherë Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën
për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për
vakancën përpara datës 25.1.2025 (pika 3 e nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin
dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”). Kjo gjë jo
vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë
drejtim.
Nga ana tjetër, nëse arsyetimi i mësipërm është i vërtetë, situata faktike lidhur me mandatin e
gjyqtares Elsa Toska duhet të ishte ndryshe, jo siç paraqitet sot, ku:
– Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin nr. 62, datë 23.9.2024, për mbarimin përpara afatit të
mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska;
– Kuvendi ka shpallur në datën 30.9.2024 njoftimin për hapjen e procedurës së aplikimit për vendin
vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese (vakancë për mandat plotësues, duke përcaktuar
përfundimin në datën 14.11.2028);
– Kuvendi ka shpallur në datën 30.10.2024 listën e kandidatëve që kanë shprehur interes për të
kandiduar;
– Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar mbledhje në datat 1.11.2024 dhe 20.1.2025 për
shqyrtimin e kandidaturave që kanë shprehur interesin për t’u zgjedhur në pozicionin vakant të
krijuar në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ka përfunduar ende shqyrtimin;
– Kuvendi nuk ka anuluar procedurën e nisur në datën 30.9.2024 dhe nuk ka njoftuar riçeljen e saj,
këtë radhë për një mandat të plotë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës
23.12.2024, sikurse nuk i ka kërkuar, nga ana tjetër, Gjykatës Kushtetuese, që të deklarojë
mbarimin përfundimtar, pa plotësim, të mandatit të lënë nga gjyqtarja Toska.
Kjo situatë faktike e bënte të domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të shprehej qartësisht edhe për
mandatin tjetër, i cili është emërtesë e Kuvendit, sepse procedimi i mëtejshëm i Kuvendit me
procedurën e çelur për mandat plotësues, gjithashtu, i humb kuptimin detyrimit për përtëritjen e
pjesshme që ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj.
Parimi i luajalitetit kushtetues do të kërkonte nga dy organet e emërtesës, Kuvendi dhe Presidenti i
Republikës, të cilat kanë detyrë të përmbyllin procedurat për përtëritjen e parë, pas hyrjes në fuqi të
ndryshimeve të vitit 2016, që të respektonin prerogativën kushtetuese të Kryetarit të Gjykatës
Kushtetuese për të vënë në lëvizje Gjykatën për deklarimin e mbarimit të mandatit. Megjithatë, të
dyja këto organe nuk do të kishin nevojë të viheshin në lëvizje pas datës 25.1.2025 për të kërkuar
deklarimin e mbarimit të dy mandateve, nëse Gjykata vetë nuk do kishte lidhur mbarimin e mandatit
të gjyqtares Zaçaj me nevojën për zbatimin e parimit të përtëritjessë pjesshme dhe datën e përfundimit
të mandatit të saj me datën korresponduese të përfundimit të mandatit të anëtarëve paraardhës.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në zbatim të të njëjtit parim të luajalitetit kushtetues, por
edhe me shqetësimin për të respektuar në çdo rrethanë parimin e shtetit ligjor dhe të supremacisë të
Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, e ka të domosdoshme të nisë këtë procedurë përpara
Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin që Gjykata të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare
gjithçka që ka lënë pa sqaruar dhe pa zgjidhur me vendimin e saj të datës 23.12.2024, si për sa i përket
mënyrës së zbatimit të mekanizmit të përtëritjes së pjesshme në kushtet kur emërimi i anëtarëve është
bërë në tërësi në kapërcim të afateve ligjore, duke krijuar boshllëqe të ndjeshme, nga njëri mandat te
mandati vijues, ashtu dhe për sa i përket saktësimit të rëndësisë që ka data e përfundimit të mandatit
të gjyqtarit pararendës për fillimin e procedurës për deklarimin e mbarimit të mandatit në të gjitha
rastet kur anëtari i zgjedhur me vonesë është zgjedhur me mandat të plotë 9-vjeçar.
Gjykata Kushtetuese është shprehur në vendim se “kur organi i emërtesës vlerëson se Gjykata
Kushtetuese nuk ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t’ia kërkojë Gjykatës
këtë gjë me shkrim, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse lidhur me mbarimin e mandatit të
gjyqtarit për të cilin është organ emërtese sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në këtë rast, Gjykata duhet të
shprehet me vendim, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim”.
E drejta për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, (legjitimimi i kërkuesit) në këtë rast, mund të
ushtrohet vetëm në kuadër të procedurës së konfliktit të kompetencave, sikurse parashikon pika 3 e
nenit 54 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese
të Republikës së Shqipërisë”, sepse ligji nuk parashikon procedurë të posaçme për shqyrtimin e
kërkesës së organit të emërtesës nëse Kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk kërkon dhe Gjykata nuk
vendos, brenda afatit ligjor, deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtarin kushtetues.
Edhe objekti i kërkesës nuk mund të jetë tjetër veçse deklarimi i mbarimit të mandatit te gjyqtarit
kushtetues. Në këtë rast, organi i emërtesës nuk mund të parashtrojë kërkesë për interpretim të
dispozitës kushtetuese, sepse Gjykatës nuk mund t’i paraqiten më kërkesa për interpretim pas
ndryshimeve të vitit 2016 në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, sikurse nuk mund të paraqesë kërkesë
për saktësim dhe plotësim vendimi, sipas nenit 80 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, sepse nuk ka qenë
palë në çështjen me objekt deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren Holta Zaçaj.
Konflikti i kompetencave, nga buron edhe e drejta e Presidentit të Republikës, si organ emërtese, për
të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, ka lidhje, në logjikën e këtij vendimi, me faktin se Presidenti
i Republikës është i kushtëzuar në ushtrimin e kompetencës së Tij kushtetuese nga vendimmarrja e
Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit. Mosmarrja e vendimit për
deklarimin e mbarimit të mandatit pengon automatikisht Presidentin e Republikës, si organ emërtese,
në ushtrimin e kompetencës së Tij kushtetuese për emërimin e gjyqtarit vijues.
Nga ana tjetër, në rast se Presidenti i Republikës do të kalonte në heshtje rrethanat e sipërcituara dhe
pasojat që sjell vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23.12.2024 për të gjitha mandatet e gjyqtarëve
kushtetues që, për shkak të emërimit me vonesë, kapërcejnë afatet për përtëritjen e pjesshme të
Gjykatës Kushtetuese, atëherë Gjykata Kushtetuese mund të vihej në kushtet e pamundësisë për të
vendosur deklarimin e përfundimit të mandateve të caktuara dhe për të siguruar përtëritjen e pjesshme
të saj, gjë që, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.12.2024, e bën, gjithashtu, organin
e emërtesës përgjegjës për shkelje të Kushtetutës nëpërmjet mosveprimit për të vënë në lëvizje
Gjykatën Kushtetuese.
Parimi i luajalitetit kushtetues kërkon bashkëveprimin e domosdoshëm institucional midis Gjykatës
Kushtetuese, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës në përcaktimin e saktë, të plotë dhe përfundimtar
të hapave për përtëritjen e pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025.
Me këtë kërkesë, Presidenti i Republikës po përmbush pjesën që i takon në kuadër të zbatimit të këtij
parimi.
Kësaj kërkese i bashkëlidhen:
1. Njoftimi i Gjykatës së Lartë, “Për hapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, nr. 6186 prot., datë 11.12.2024 (https://gjykatamedia.s3.eu-central1.amazonaës.com/Njoftim_per_hapjen_e_procedures_se_aplikimit_per_Anetar_te_Gjykates_Kushtetues
e_2024_9f7a889df0.PDF);
2. Njoftimi – shpallja e Kuvendit për hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar
të Gjykatës Kushtetuese (vakancë për mandat plotësues), datë 30.9.2024
(https://www.parlament.al/lajme/19662963-2e4a-4156-ba1a-19c66d2cd34b);
3. Njoftim Kuvendi datë 30.10.2024 (https://www.parlament.al/lajme/9eb3a5c3-56e6-4cd0-a207-
59f61f0b0521);
4. Vendim i Kuvendit nr. 133/2019 për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska anëtare të Gjykatës
Kushtetuese (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 14.11.2019, nr. 153);
5. Dekreti i Presidentit të Republikës, nr. 11364, datë 22.11.2019, “Për shpalljen e procedurës së
aplikimit për plotësimin e vakancës së përkohshme të krijuar për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë
25.11.2019, nr. 158);
6. Dekreti i Presidentit të Republikës, nr. 11886, datë 28.12.2020, “Për emërimin e gjyqtarit të
Gjykatës Kushtetuese” (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 30.12.2020, nr. 233);
7. Dekreti i Presidentit të Republikës, nr. 11313, datë 15.10.2019, “Për emërimin e gjyqtarit të
Gjykatës Kushtetuese” (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 22.10.2019, nr. 142).