Die. Nën 24th, 2024

Bieber: Përpjekjet e Vuçiqit për t’i rregulluar raportet me Kosovën ishin të pasinqerta

Profesori në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, njëherësh edhe njohës i rrethanave politike të Ballkanit Perëndimor, e ka quajtur të pasinqertë përpjekjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk shoh se Serbia nën qeverinë e presidentit Vuçiq po ecën në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve me fqinjët. Përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën ishin të pasinqerta, siç e pamë nga reagimet tejet agresive ndaj kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës – një hap që do të ishte plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Ohrit, të cilën Serbia gjoja premtoi se do ta zbatonte”, tha Bieber në një intervistë për ‘Danas’-in.

“Po ashtu, ngurrimi për të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe gjithë ai imazh i censuruar i Serbisë, nën Vuçiqin, nënkupton se atij nuk i intereson normalizimi real dhe bën vetëm minimumin për të shmangur presionin nga Perëndimi”, vijoi më tej njohësi i Ballkanit Perëndimor.

Tutje, Bieber ka thënë se nëse nuk zgjidhen problemet në pjesën veriore të Kosovës, rajoni çdoherë do të jetë i paqëndrueshëm.

Ai ka thënë se shtetet perëndimore kanë një lloj shprese tek Vuçiqi, derisa këtë të fundit e ka quajtur “lider autokrat”.

Bieber ka theksuar tendencën e Serbisë për destabilizimin e shteteve të tjera të rajonit, duke përmendur Milorad Dodikun e Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe Kishën Ortodokse në Mal të Zi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *