Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot gjatë përurimit të punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, tha para mediave se ka biseduar me Shefin e Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, si dhe me emisarin evropian, Mirsolav Lajçak.
I pari i Qeverisë ka thënë se është në kontakt me BE-në dhe theksoi se gjysmë ore ka biseduar në telefon me Borrell dhe Lajçak.
Kryeministri Kurti tha para gazetarëve se është interesuar për de-eskalim dhe normalizim, por që siç tha ai kjo nënkupton sundim të ligjit që i zmbrapsë këta kriminelët duke i detyruar të ballafaqohen me drejtësinë ose edhe të shkojnë në Serbi.
closevolume_off
“Me BE jam në kontakt të përditshëm. Dje kam biseduar me Borrellin edhe me ndërmjetësin Lajçak, Jam interesuar edhe për de-eskalim edhe për normalizim që nënkupton sundim të ligjit që i zmbrapsë këta kriminelët duke i detyruar të ballafaqohen me drejtësinë ose edhe të shkojnë në Serbi”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit sot foli edhe për masat e BE-së ndaj Kosovës, të cilat i quajti të përkohshme dhe të padrejta.
Kurti nga Podujeva, ka thënë se disa masa edhe kanë filluar që të zbatohen duke përmendur anulimin e vizitave.
“Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa edhe janë zbatuar disa prej tyre, ju e dini që ushtrimi i madh ‘Defender Europe’, sidomos në Gjakovë ku e kishim të planifikuar u pat anulua, bëhet fjalë edhe për vizita e masa të përkohshme, të cilat për bindjen time janë të padrejta. Ajo që ne duhet të bëjmë është që në Kuvend, me 2/3 e deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grante që kanë ngelur të ngujuara dhe s’po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosova, rreth 149 milionë euro. Kredi dhe grante që pa 2/3 nuk po kalojnë”
“Teksa mërzitemi për masat aktuale të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual të cilën mund ta kalojmë shumë kollaj bashkërisht me opozitën”, ka shtuar ai.