Ani pse pa prezencën e opozitës në sallë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka komentuar deklaratat e tyre në sallë. Në seancën për dialogun, ai ka thënë se aktualisht pozita e dikurshme është në qoshe, pikërisht për shkak të pritjeve që kanë pasur për dialogun. Bislimi ka kritikuar opozitën duke thënë se me deklarimet e tyre janë bërë qesharakë.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se Kosova iu është përgjigjur pritjeve të opozitës së tanishme që kishin për dialogun.
Bislimi: Të tjerët janë në qoshe mu për këtë arsyeje të pritjeve
“Kosova është këtu ku është, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë këtu ku janë, e të tjerët janë në qoshe mu për këtë arsyeje të pritjeve që këta i kanë pasur nga dialogu deri më tani. Ndërkaq, qeveria është këtu mu për këtë arsyeje se iu ka kundërvura këtyre pritjeve”, ka thënë ai.
Ani pse pa prezencën e deputetëve të opozitës në sallë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nga korriku 2020 deri në dhjetor 2020, kanë ndodhur nëntë takime në Bruksel, por që sipas tij asnjëherë në kuvend nuk është raportuar për këto takime.
Madje, ai tha se nuk kujton që qeveritë e kaluara kanë ven kushte para shkuarjes në dialog.
Bislimi: Edhe Vuçiq po dërgon njerëz në Kosovë për të ditur se çfarë do të diskutojë Kurti në Bruksel
“Tha po ashtu që dëshiron të di se çka do të flas Albini në Bruksel, por në fakt këtë dëshiron të dijë edhe Vuçiq. Edhe Vuçiqi është duke dërguar vazhdimisht njerëz në Kosovë, të cilët dëshirojnë të dinë se çfarë do të diskutoj Albini në Bruksel. Ju e keni platformën e qeverisë Mustafa në të cilën thuhet që negociata nuk tregohet për detaje, për arsye se rrezikohen negociatat. A kanë menduar edhe atëherë deputeti Gashi që në negociata nuk flitet për detajet, apo e ka ndryshuar qëndrimin”, ka theksuar ai.
Ai i është kundërpërgjigjur edhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku tha se qeverisë Mustafa i është sjell platforma pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve.
Bislimi: Atëherë nuk ka pasur brengë askush dhe janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme
“Unë kisha dashtë me marrë vesh nga zotëri Abdixhiku se sa herë LDK na ka sjell neve platformë të dialogut. Për dijeninë tuaj janë pesë takime që kanë ndodhur në Bruksel nga shtatori deri në dhjetor të vitit 2014, ndërkaq platforma e qeverisë Mustafa ku kanë qenë LDK dhe PDK, qeverisë i është sjell me 15 janar 2015. Do të thotë në një platformë të qeverisë 2014-2018 në qeveri është nxjerr me 15 janar 2015, pasi kanë ndodhur pesë nënshkrime të marrëveshjeve në Bruksel, ku kanë qenë ministra të qeverisë. Atëherë nuk ka pasur brengë askush dhe është nënshkruar marrëveshje bukur të rëndësishme, përfshirë edhe ato që sot po na shkaktojnë probleme”, ka deklaruar Bislimi.
Ndërsa, për deklarimet e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk ka pranuar të takohet me Mogherinin, Bislimi ka theksuar se në kohën sa Haradinaj ishte kryeministër, ekipi i tij i drejtuar nga Avni Arifi ka qenë në Bruksel.
Bislimi: Haradinaj ka qenë i obliguar që të marrë nga dora dialogun
“Në fakt në atë kohë, Haradinaj publikisht ka thënë se nuk dëshiron të merret me dialogun dhe se ka punë më të rëndësishme dhe këtë ia lë presidentit Thaçi. Në qoftë se Haradinaj ka pasur brenga për ecurinë e dialogut edhe sikur të mos kishte pas kohë, ka qenë i obliguar që të marrë dialogun nga dora për të mos lejuar që të rrëshqas nëpër ata binarë që kanë rrëshqitur. Por, në fakt ka thënë se nuk ka dashur të merret me dialogun për sa kohë është Mogherini. Por prapë është e pavërtetë”, ka shtuar ai.
Në mungesë kuorumi nuk është vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës. Seanca do të vazhdojë në orën 10:00 të hënën.