Shefi i ekipit negociator të Kosovës dhe numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Euronews (edicionin në gjuhën serbe) ka folur për propozimin franko-gjerman përmes të cilit po synohet arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.
Bislimi ka thënë se nëse bëhet një fokus në elementet “de jure”, atëherë i bie që propozimi frank-gjerman mbështet pozicionin e Serbisë se aktualisht s’ka kushtet për arritjen e njohjes reciproke.
“E përsëris, nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumenteve, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë se aktualisht nuk ka kushte për njohje reciproke”, ka thënë Bislimi për Euronews i pyetur nëse brenda propozimit është dhe njohja reciproke, trasnmeton Gazeta Express.
Ai tutje ka thënë se palët janë marrë vesh që të mbajnë sekrete detaje të propozimit, megjithatë thotë se në momentin që do të ketë një lloj progresi atëherë publiku do të njoftohet për gjithçka.
“Tani ju vetë deklaruat se propozimi është sekret. Nuk është sekret sepse përmban diçka që publiku nuk duhet ta dijë dhe ta diskutojë, por është sekret sepse që në fillim ka qenë një marrëveshje për të mbajtur thelbin e marrëveshjes larg syrit të publikut, në mënyrë që të mos cenojmë procedurat vetë. Megjithatë, në momentin që do të bëjmë njëfarë progresi, gjithçka sigurisht që do të njoftohet”, është shprehur Bislimi.