Hën. Nën 25th, 2024

Bislimi: Serbia po vazhdon të pengojë procesin e dialogut

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pas vendimeve të djeshme që mori qeveria serbe, e që kanë të bëjnë pikërisht me Kosovën.

Bislimi, përmes një postimi në profilin e tij në “X”, deklaroi se Serbia vazhdon të pengojë procesin e dialogut, duke shkelur parimet dhe frymën e marrëveshjeve, së fundmi, përmes projektligjit për përndjekje të paraqitur dje nga qeveria e tyre.

“Ndërsa Serbia nga njëra anë dërgon letra angazhimi ndaj Komisionit Evropian ku shpreh vullnetin për të zbatuar detyrimet që rrjedhin nga procesi i dialogut, vetëm që të marrin miliona euro nga BE-ja dhe Plani i Rritjes, nga ana tjetër vazhdojnë të shkelin marrëveshjet, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe të bëjnë çdo përpjekje për të vazhduar bllokimin e rrugës përpara në procesin e normalizimit” shkroi Bislimi, që njëherazi është edhe kryenegociator i Kosovës, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Duke përmendur nxitjen e tensioneve, sidomos sulmin në Banjskë, rrëmbimin e policëve, barrikadat në veri, fluturimin e MIG-ave pranë kufirit dhe vendosjen e ushtrisë në gatishmëri të lartë, Bislimi thotë se konstruktiviteti i rremë i Serbisë po vazhdon të ekspozohet.

“Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë? A është ajo që në mënyrë të pabesueshme përpiqet të shfaqet si “konstruktiv” duke deklaruar përkushtimin ndaj procesit, apo ajo që miraton ligje të tilla dhe shkel vazhdimisht marrëveshjet dhe cenon integritetin territorial dhe sovranitetin tonë? BE-ja si ndërmjetës duhet të përgjigjet dhe të reagojë në mënyrë të vendosur” shtoi Bislimi.

Kujtojmë se në mbledhjen e djeshme, qeveria serbe miratoi projektligjin përmes të cilit, të ashtuquajturën “Krahinë autonome e Kosovës dhe Metohisë”, e vendosë si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *