Në vend të “Dolçe vita”, “C’est la vie”. Në vend të Këshillit Kombëtar Serb, pastiçeria “Missini”. Në vend të mishtores “Laziq”, supermareketi “Meridian”.
Në qendër të Mitrovicës së Veriut, ditëve të fundit vërehet një pamje ndryshe nga dy dekadat e kaluara.
Ky ndryshim ka të bëjë me hapjen e supermarketeve, restoranteve, pastiçerive dhe kafeneve që janë në pronësi të biznesmenëve kosovarë, biznese këto që gjenden në mbarë Kosovën, në jug të Ibrit. Këto kompani kryesisht udhëhiqen nga shqiptarë të Kosovës.
Deri vonë, lokalet ku po hapen bizneset e reja, ishin përdorur nga serbët lokalë. Mirëpo, Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se tani këto objekte janë nën kontrollin e saj dhe janë shpallur tenderë përmes të cilëve këto objekte janë marrë me qira apo janë blerë.
Për çfarë po shpresojnë pronarët e rinj?
Në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të Veriut, në 28 vjetët e fundit ka ekzistuar një kafene e quajtur “Dolçe vita”. Pronari vinte nga radhët e komunitetit serb.
Lokali dikur i takonte ndërmarrjes shoqërore, Luks, ndërsa sot është në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pasi kjo agjenci shpalli tender publik, objekti u ble nga një shqiptar i Kosovës dhe kafeneja ka marrë emrin “C’est la vie”.
Menaxheri i kësaj kafeneje, Nexhat Haliti, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky biznes ka klientë shqiptarë dhe serbë.
“Sot (15 gusht) është bërë një muaj që kur kemi nisur të punojmë. Nuk kemi pasur as provokimin më të vogël nga serbët, edhe ata po vijnë si klientë. Ne nuk u hapëm [kafenenë] vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët, për të gjithë njerëzit. Serbët kur vijnë këtu duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre”, thotë Haliti.
Për Halitin, bashkëjetesa mes komuniteteve në Kosovë është e pashmangshme.
“Duhet të jetojmë së bashku. Jemi fqinj”, thotë ai.
Ai shton se punëtorët po ashtu duhet të jenë nga komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, duke treguar se do të punësojë një kamerier nga komuniteti serb.
“Missini” është një zinxhir i pastiçerive që do të hapet në shtator në Mitrovicë të Veriut, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, pronari i këtij biznesi, Astrit Misini, i cili është nga Mitrovica e Jugut.
Ai tregon se aktualisht është duke renovur lokalin që ka marrë me qira nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Misini thotë se ka vendosur të zgjerojë biznesin e tij në veri për shkak se gjendja e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, sipas tij, është stabilizuar.
“Duke pasur parasysh situatën e krijuar nga shteti, ndihemi të sigurt për të investuar. Lokali ndodhet nën banesat në sheshin e qytetit. Punëtorët janë duke rinovuar, fqinjët nga komuniteti serb na kanë pritur shumë mirë”, thotë ai.
Misini thotë se fillimisht planifikon të punësojë 12 punëtorë.
“Ka persona njerëz që janë të interesuar, kanë aplikuar qytetarë nga komuniteti boshnjak dhe serb. Ne do të punësojmë qytetarë nga këto komunitete”, thotë ai.
Mitrovica e Veriut është një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ku në dy vjetët e fundit tensionet kanë qenë të larta për shkak të përpjekjeve të Qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti për të shtrirë autoritetin në këtë pjesë. Largimi nga përdorimi i targave serbe, i dinarëve serbë, mbyllja e disa institucioneve që punojnë sipas sistemit serb janë disa nga vendimet që janë zbatuar dhe që kanë nxitur pakënaqësi dhe protesta nga popullsia lokale serbe.