Sht. Nën 23rd, 2024

Blinken: Negociatorët do të takohen “gjatë ditëve të ardhshme” për armëpushimin në Gazë

Zyrtarët palestinezë thanë sot se një sulm izraelit ndaj një shkolle që po strehonte të zhvendosurit në pjesën qendrore të Rripit të Gazës shkaktoi vdekjen e të paktën 17 personave, pjesa dërmuese të cilëve grave dhe fëmijë.

Shkolla u sulmua ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Izraeli e ka përmbushur objektivin për të “shkatërruar në thelb” Hamasin dhe se negociatat mbi armëpushimin dhe lirimin e dhjetra pengjeve izraelite do të rifillojnë në ditët e ardhshme.

Dyzet e dy persona u plagosën në kampin e refugjatëve në Nuseirat, sipas zyrtarëve shëndetësorë. Në mesin e të vrarëve ishin 13 fëmijë nën moshën 18 vjeçe dhe tre gra, sipas regjistrave të spitalit.

Ushtria izraelite tha se i kishte sulmuar militantët e Hamasit brenda shkollës, por nuk dha prova. Izraeli ka sulmuar disa shkolla të kthyera në vendstrehime muajt e fundit, duket thënë se po merr masat që sulmet të jenë të sakta duke vënë në shënjestër militantët që fshihen në mesin e civilëve.

Në këto sulme shpeshherë vriten gra dhe fëmijë.

Sekretari Blinken u tha gazetarëve gjatë qëndrimit në Katar, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësit kryesor në mes të Izraelit dhe Hamasit, se negociatorët do të takohen “gjatë ditëve të ardhshme”.

“Na duhet ta kuptojmë nëse Hamasi është i gatshëm të angazhohet”, tha ai gjatë vizitës.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë të rifillojnë procesin e negociatave pasi forcat izraelite vranë udhëheqësin e Hamasit, Jahja Sinuar në Gazë javën e kaluar, por asnjëra palë nuk kanë treguar ndonjë shenjë se ka zbutur kërkesat pas muajsh të tërë negociatash, të cilat u bllokuan gjatë muajve të verës.

Gjatë vizitës së tij në rajon, Sekretari Blinken njoftoi për një paketë ndihmash të reja në vlerë prej 135 milionë dollarë palestinezëve, ndërkohë që nxiti Izraelin që të lejojë hyrjen e më shumë ndihmave në Gazë.

Ndërkohë, punonjësit e ndihmave në pjesën veriore të Gazës, ku Izraeli po ndërmerr aktualisht një operacion të gjerë ushtarak ajror dhe tokësor, paralajmëruan për një situatë katastrofike.

Ndërkohë, ushtria libaneze njoftoi të enjten se një sulm izraelit vrau tre ushtarë të saj, përfshirë një oficer ndërsa po evakuonin të plagosurit nga pjesa jugore e Libanit. Në zhvillime të tjera, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se vendi i tij do të dërgojë një paketë prej 100 milionë euro ndihma për ta mbështetur Libanin.

Lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e grupit palestinez sulmuan vendbanimet izraelite më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1,200 persona, shumica e të cilëve civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Në Gazë, mbi 42,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën e Izraelit, sipas zyrtarëve vendas, të cilët nuk bëjnë dallim mes viktimave civile dhe militantëve.

Zyrtarët humanitarë të Kombeve të Bashkuara po njoftojnë për “nivele të tmerrshme vdekjesh, plagosjesh dhe shkatërrimi” në pjesën veriore të Gazës ku Izraeli po zhvillon edhe një operacion tjetër të madh.

Izraeli po ashtu po lufton kundër Hezbollahut në Liban. Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se gjatë vitit të fundit 2,500 persona janë vrarë dhe 12,000 janë plagosur. Luftimet në Liban kanë detyruar 1.2 milionë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, përfshirë mbi 400,000 fëmijë, sipas agjencisë së OKB-së për fëmijët.

Hezbollahu njoftoi të mërkurën se Hashem Safieddine, njëri prej zyrtarëve të lartë të organizatës, që pritej të bëhej udhëheqësi i ardhshëm i grupit militant, është vrarë nga një sulm ajror izraelit. Gjatë javëve të fundit, sulmet izraelite kanë vrarë shumicën e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *