Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se 2022-ta do të arkivohet si një ndër vitet më të suksesshme artistike të vendit.
Ai përmendi ngjarjet kulturore që u mbajtën në vendin tonë siç janë: DokuFest, Bienalen Manifesta, Sunny Hill, të cilat bënë reformën kulturore, shkruan Indeksonline.
Çeku tregon se i gjithë ky sukses, para se gjithash është rezultat i punës së madhe të komunitetit tonë artistik.
Postimi i plotë:
“DokuFest XXI u mbyll me ndarjen e çmimeve për më të mirët në shumë kategori dhe filmin e Scorsese “The Last Waltz” kushtuar koncertit lamtumirës të rock bendit kanadezo-amerikan “The Band”. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij.
Prizreni për nëntë ditë me radhë u transformua në një kinema të hapur. Ata që shijuan filmat e një programi të kuruar me shumë pasion, përjetuan edhe atmosferën magjike të qytetit. Thirrja e festivalit sivjet ishte për të gjithë ne, mbi të gjitha temat e vështira, nga ndryshimet klimatike te autoritarizmi, nga cënimi i të drejtave të njeriut te luftërat, varfëria, fashizmi.
Me DokuFest që u mbyll mbrëmë, Bienalen Manifesta që mbetet e hapur deri në fund të tetorit, festivalet si Anibar, Chopin Piano Festival e Ramë Lahaj Opera Festival, Sunny Hill Festival dhe shumë ngjarje të tjera kulturore në gjithë vendin tonë, paraqitjen e shkëlqyer në Bienalen e Venecias me Jakup Ferrin, reformën kulturore që kemi nisur, rritjen e buxhetit për kulturën, bursat për profilet deficitare në kulturë, marrëveshjet e bashkëpunimit kulturor me shtete të Europës, funksionalizimin e Operas së Kosovës, themelimin e Këshillit Inicues të Muzeut të Artit Bashkëkohor, blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, 2022-ta do të arkivohet si një ndër vitet më të suksesshme artistike të vendit. Dhe kemi edhe pesë muaj deri në fund të vitit.
I gjithë ky sukses, para se gjithash është rezultat i punës së madhe të komunitetit tonë artistik. Artistë e aktivistë kulturorë, institucione arti e operatorë kulturor, individë e organizata të shumta, u jam mirënjohës për përkushtimin dhe ju siguroj që politikat tona qeveritare për kulturën do të vazhdojnë të ndjekin rrugën dhe udhëzimet tuaja.”