Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se ka munfgesë totale të konsistencës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, herë është thënë se është prioritet i 10-të, i 7-të, i 4-të, tash doli që është prioriteti i parë. Pra, ka pasur mungesë konsistence dhe ka mungesë transparence”, tha Çitaku në një intervistë me REL.
“Zoti Kurti është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ne e dimë se për meny nuk kanë biseduar në Berlin dhe zoti Kurti e ka për obligim të sqarojë se çfarë është biseduar dhe a ka ndonjë përparim në këtë proces”, u shpreh tutje Çitaku.
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane tha se kërkojnë nga Kurti që t’i përmbushë detyrimet kushtetuese, ta përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe të arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendrën e saj.
“Ju e mbani në mend që me vite të tëra në Kosovë, me një lehtësi të padurueshme, janë thënë fjalë të mëdha e të rënda. Njerëzit janë etiketuar si tradhtarë, si kriminelë, për përfshirje në dialog. Ne nuk veprojmë njëjtë, mirëpo ne, thjesht, kërkojmë konsistencë dhe transparencë, si dhe kërkojmë që ky proces të përmbyllet sa më parë”, tha e dyta e PDK-së.