Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se pas rastit të djeshëm në Pejë, ku në Festën e Abetares u diskriminuan nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën.
Nagavci sot shkoi në atë shkollë për tu informuar nga afër, derisa ka dhënë detaje, raporton Indeksonline.
Njoftimi i plotë:
Diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona!
Vizitova sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian.
Me këtë rast, vizitova disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe bisedova me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.
Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona.
Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona. Është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe mediave e shoqërisë civile.
Për rastin e e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme.
Megjithatë, duhet të jemi shumë të sinqertë dhe të ndershëm dhe të pranojmë se si shoqëri kemi akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar.