Sht. Nën 23rd, 2024

DASH: Kosova të mos devijojë nga plani i tranzicionit të FSK-së

Shtetet e Bashkuara i mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, por kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjate dhe të kujdesshme, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Kosova mund ta dëshmojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO, duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit [të Forcave të Sigurisë së Kosovës] dhe duke mos devijuar prej tij”, shtoi zëdhënësi.

Përgjigjja nga Departamenti amerikan i Shtetit vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një letre që mban datën e 10 marsit, i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të shfrytëzojë “udhëheqjen dhe ndikimin, për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

“Meqë ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë i domosdoshëm”, ka thënë Osmani në letrën që ka parë Rel.

Ajo ka thënë se sytë e botës tani janë te lufta në Ukrainë, por, sipas saj, “nuk duhet të harrojmë situatën e brishtë me të cilën përballemi në Ballkan”.

“Ne jemi të ekspozuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe për të destabilizuar gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Osmani.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që “ta ndihmojnë Kosovën për të siguruar vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës derisa ajo bën përparim të rëndësishëm dhe domethënës në planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit, i cili është zhvilluar me mbështetjen e SHBA-së, me qëllim të ndërtimit të një force mbrojtëse shumetnike, që nuk është vetëm në gjendje të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por edhe të kontribuojë në përpjekjet globale të sigurisë përtej kufijve të saj”, tha zëdhënësi.

Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri të plotë që nga viti 2018. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Pritet që FSK-ja, gjatë transformimit, të dyfishojë numrin e forcave të saj dhe të bëhet një ushtri profesionale prej 5,000 trupash.

Detyrat e mëparshme të FSK-së kanë përfshirë reagimin ndaj krizave dhe mbrojtjen civile.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *