Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar sot për liderët e Ballkanit se “nëse nuk i besojnë BE-së, le të shkojnë diku tjetër”.
Këtë përgjigje Lajçak e ka dhënë pas pyetjes së hulumtuesit Samir Behariq në Forumin Ballkanik, ku e ka pyetur nëse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’i besojnë BE-së, duke marrë parasysh se pavarësisht premtimeve, Kosovës ende nuk i janë liberalizuar vizat.
Nga Bashkimi Evropian nuk kanë pranuar të komentojnë deklaratat e Lajçak.
Sidoqoftë, BE ka aluduar se deklarata e Lajçak është nxjerrë nga konteksti.
“Ne nuk komentojmë deklaratat apo komentet e të tjerëve. Megjithatë, ne ju ftojmë ta rishikoni interferencën e plotë që deklarata të mos nxirret nga konteksti”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Hulumtuesi në fjalë përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se Lajçak i ka thënë se është bërë “trend” që të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave.
“Tash është bërë trend të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por liderët e Kosovës duhet të shkojnë në shtetet që po bllokojnë lëvizjen që të pajtohen”, ka deklaruar Lajçak, derisa ka pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, sipas Behariq.
Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Lajçak që janë raportuar nga hulumtuesi në fjalë, ndërsa ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons është treguar mjaft i ashpër me Lajçak, duke thënë se “BE-ja po sillet si një okupator kolonial që nuk e pranon faktin se nuk është më relevant”.