Die. Nën 24th, 2024

Del ekzaminimi psikiatrik për Dardan Krivaqën: S’ka çrregullim mendor, por çrregullim të personalitetit

Dardan Krivaqa, i cili dyshohet që në mënyrë çnjerëzore ia ka marrë jetën, Marigona Osmanit, nuk ka probleme apo çrregullime mendore.

Kështu konstatohet në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës në të cilën po ashtu thuhet se ai është përdorues i substancave narkotike, por që kjo nuk ka ndikuar që ai të ketë prapambetje mendore.

“Te i ekzaminuari Dardan Krivaqa nuk është konstatuar ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore e karakterit psikotik. Nuk është konstatuar prapambetje mendore. Sipas te dhënave poseduese, i njëjti është përdorues i substancave psikoaktive”, thuhet në dokument.

Te Krivaqa, është konstatuar se ka çrregullim të personalitetit antisocial dhe se sipas ekzaminimit, ai është manipulues dhe i pëlqejnë sjelljet agresive, thuhet në raportin e ekspertëve të psikiatrisë, të siguruar nga Dukagjini.

“Te i ekzaminuari është konstatuar dg/Çrregullim i personalitetit antisocial, i cili sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve kodohet me shifren F-60.2 ( ICD-10). Personat e tillë karakterizohen me sfera të shthurura të funksionimit jetësor me rrahje, kërcënime, gnjeshtra, ikje nga shtëpia, probleme në raportet ndër njerëzore, me familjen, me rrethin, probleme në punë, abuzim me substanca, aktivitete ilegale të cilat kanë filluar që në fëmijëri. Janë manipulues dhe u pēlqejnë aktivitetet të cilat lehtë sjellin të holla dhe famë. Nuk pendohen për veprimet e tyre dhe çdo herë ja u hedhin fajin të tjerëve për veprimet e tyre. Mungesë keqardhjeje për secilin prej sjelljeve të mësipërme. Ndonëse mund të jenë edhe arrogantë, por janë gjithmonë të aftë të duken tërheqes, në situata të caktuara”, thuhet tutje në dokument.

Po ashtu, në dokument thuhet se “Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, aftësia e tij mendore që të kuptoj rëndësinë e veprës si dhe aftësia e kontrollit të veprimeve të tij ka qenë e ruajtur. Kjo është e bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën e ngjarjes para, gjatë dhe pas veprës”.

I dyshuari sipas ekzaminimit, “Mund të marrë pjese në seancë gjyqësore. Është i aftë për ta mbrojtur veten, që të konsultohet me persona të tjerë duke përfshirë mbrojtësin si dhe ka aftësinë për të kuptuar akuzën dhe përballuar gjykimin”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *