Juria e Gjykatës së Apelit të Belgjikës mbrëmë konfirmoi fajësinë për vrasësit e aktivistit kosovar, Enver Hadri. Atyre iu shqiptua dënimi i përjetshëm.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.
Përmes një postimi në X, Kurti u shpreh se kjo është një arritje në drejtësi, pavarësisht se Serbia refuzoi t’i ekstradojë në Belgjikë të dyshuarit.
Sipas hetimit të autoriteteve belge, vrasja e Hadrit u urdhërua nga shërbimet e inteligjencës me bazë në Beograd.
“Një gjykatë penale belge ka lënë në fuqi sot vendimin fajtor të dy personave të dënuar për vrasjen e Enver Hadrit, asokohe Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, i cili u qëllua në makinën e tij në kryeqytetin belg në vitin 1990. Hetimi arriti në përfundimin se atentati ishte urdhëruar nga shërbimet e inteligjencës me bazë në Beograd, të cilat bashkëpunuan me botën e krimit për ta kryer atë. Ata u dënuan në mungesë, pasi Serbia ka refuzuar t’i ekstradojë në Belgjikë. Dështimi i Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të sanksionuar vrasjet e sponsorizuara nga shteti ka pasur pasoja të qëndrueshme, duke përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Qeverisë serbe dhe grupeve kriminale në kryerjen e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Kjo arritje në drejtësi duhet të pasohet nga bashkëpunimi i sistemit gjyqësor të Serbisë”, shkroi Kurti.
Pas gati tri javë shqyrtimi gjyqësor, dje u zhvillua seanca pasi dy nga tre të akuzuarit dhe të dënuarit kanë deponuar ankesë në vendimin paraprak gjyqësor.
Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i shërbimeve sekrete serbe, si dhe Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, në vitin 2016 janë shpallur fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit.
Vetëm dy nga tre të dënuarit, Spasiq dhe Drashkoviq, kanë deponuar ankesë. Të tretë janë dënuar në mungesë sikur në vitin 2016, ndërsa edhe rigjykimi është mbajtur pa prezencën e tyre, meqë të tre janë në Serbi.