Sht. Nën 23rd, 2024

Der Standard: Ministria e Jashtme gjermane kërkon heqjen e barrikadave

Ministria e Jashtme gjermane, në një deklaratë për gazetën austriake, Der Standard, ka kërkuar që “barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat gjithashtu paraqesin rrezik për sigurinë, duhet të çmontohen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale ka thënë gjithashtu: Ne jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.

Gazeta austriake ka shkruar se edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka sulmuar në Twitter ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde. Më parë, ai kishte bërë thirrje për çmontimin e barrikadave, të cilat po ashtu kanë penguar trafikun rrugor prej javësh.

“Një zëdhënës i zyrës së jashtme gjermane tha për “STANDARD” se Rohde kishte bërë deklarata të qarta dhe “përsëri i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE”. Këto pyetje janë diskutuar në takimet ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme Federale për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorit serb më 21 dhjetor në Berlin, dhe mes ambasadorit gjerman në Serbi dhe presidentit serb Vuçiq më 22 dhjetor në Beograd.”, ka shkruar gazeta austriake, Der Standard.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me ç’rast, sipas “Der Standart”, ka thënë: Ne presim një qasje konstruktive nga Serbia. E kemi bërë të qartë në këto bisedime. Është e rëndësishme që serbët e Kosovës të kthehen sa më shpejt në institucionet e Kosovës. Kjo është në interes të njerëzve që jetojnë në veri. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të pranojë të vendosë në agjendë zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe të rënë dakord në 2013 dhe 2015. Ne mbështesim të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajčák në përpjekjet e tij për të bërë përfundimisht përparim në normalizimin gjithpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në kuadër të dialogut.

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 14 ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ministri Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, mbrëmë ka mbajtur një konferencë për media për situatën në katër komunat veriore të Kosovës.

Sveçla, ka thënë se Serbia vazhdimisht po mundohet që nëpërmjet lajmeve të rreme dhe propagandave të shkaktojë panik te qytetarët.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *