Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në konferencën e sotme për media ka njoftuar se ka furnizim të mjaftueshëm në treg me grurë.
Siç thotë ajo, nuk është e arsyeshme rritja e çmimit të bukës, raporton Indeksonline.
Postimi i plotë:
Sot në konferencë për media bashkë me kryesuesin e Shoqatës së Mullisëve z. Bashkim Zejnullahu, konfirmuam se kemi furnizim të mjaftueshëm në treg me grurë dhe miell dhe nuk është e arsyeshme rritja e çmimit të bukës.
Në ditët e fundit, çmimi i një buke po ndryshon nga 0.45 cent deri në 0.60 cent në disa furra buke, derisa të dhënat e përditësuara të Doganës së Kosovës, për dallim nga muaji maj 2022, konfirmojnë rënie në 7% të çmimeve furnizuese të grurit dhe miellit.
Për më shumë, Grupi Punues i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka analizuar çmimet me evidencë nga tregu, për produktet bazë: gruri, mielli, buka, orizi, pastat nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjenike, duke konstatuar se:
– marzha tregtare e produkteve bazë të shumicës së operatorëve ekonomik, ka ndryshime nga 8% deri në 19.40% varësisht nga produkti;
-disa operatorë ekonomik tregtojnë me marzhën tregtare nën 5% për produktet bazë.
Prandaj, bazuar në evidencë, do të propozojmë masa direkte për të minimizuar manipulimet në çmimet e produkteve bazë, në koordinim të afërt me Inspektoratin e Tregut qendror dhe komunal, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës dhe Komunitetin e Biznesit.