Dëshmitari Imer Imeri gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se po i drejtohet popullit të tij për t’i treguar se nuk është kundër Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK) por veprat e disa individëve e kanë sjell sot në gjykatë.
“Unë dua t’i drejtohem popullit tim se nuk jam këtu kundër UÇK-së se në UÇK isha vetë i shtati. UÇK-ja është e artë për popullin e Kosovës dhe populli i Kosovës ishte i tëri UÇK, por mjerisht individët e caktuar, veprat e tyre me kanë sjell sot këtu”, tha Imeri.
Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi ku në njërën prej tyre tha se ishte vendi ku ishte mbajtur i burgosur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në këtë vend isha i burgosur prej 12 prillit 1999 deri me 20-22 qershor 1999. Ky vend quhet Cahan i Krumes. Këtu përpara si duket është një derë e vogël, e dyta është dera e hyrjes. Mbi derë të hyrjes ishte dritarja ku kam ndejt unë prej 12 prill deri me 20-22 qershor, tha dëshmitari i cili shënjoi me ‘1’ godinën ku pretendohet se është mbajtur i ndaluar.
Më pas, dëshmitari sërish vazhdoi me shënjime të këtyre godinave në fotografinë sipas pyetjeve të prokurores.