Në institucionin e Dhomave të Specializuara po vazhdon të dëshmojë dëshmitari i parë kundër të akuzuarit Salih Mustafa.
Ai ka shpjeguar rrethanat se si ishte mbajtur në një ahur bagëtish në Zllash të komunës së Prishtinës.
Tha se ka dëgjuar zhurma nga rrahjet dhe keqtrajtimet që kanë ndodhur në katin sipër të objektit.
“Ne s`kemi mundur të flemë poshtë prej tute, prej treme që e kemi pasur Unë i dëgjojsha britmën e njerëzve dhe rropllimat, kemi pasur frikë se edhe neve na marrin dhe na dërgojnë atje. Normal zhurma të njerëzve që i kanë rreh lart. Përnatë i kemi dëgjuar”, u shpreh dëshmitari.
Në pyetjen nëse njerëzit që merreshin për t`u keqtrajtuar nxirreshin nga ahuri dëshmitari i përgjigj:
“Nuk e dimë kënd e kanë rrahur se nuk i kemi parë, por me siguri ata njerëz që i marrshin poshtë i kanë qu lart. Jo s`u ni fjala. por veç zhurma”. Shumë keq jemi ndjerë se kemi ba mend se edhe neve na gjen ashtu, asi soji”, tha ai.
Dëshmitari theksoi se ishin ushqyer me vetëm nga një copë bukë brenda dy ditësh.
“Aty na kanë dhënë nga një copë bukë bajat, ka ndodhë që 48 orë kemi ndenjur pa bukë. Bukë na kanë pru kur kanë dashur, dy ditë a një ditë, si kanë mundur se ka qenë luftë. Na kanë dhënë 1 her në dy ditë nga një copë bukë sa për të mos vdekur”, tha dëshmitari, i cili tregoi tutje edhe për kushtet e tjera të rënda të përjetuara në vendin ku mbaheshin.
“As uj s`kemi pasur boll me pi. Na kanë pru nga një kantë. Temperatura u kanë shumë ftohtë. Ne s`kemi mundur të pimë ujë e lëre më të pastrohemi. E kamë fjalën për të gjithë që i kamë pasur në dhomë. Dy postava dy qebe që kuajve. S`kemi pasur as jastëk, as asgjë, më shumë kemi ndenjur zgjuar. Për nevojën e madhe na kanë qit jashtë ndërsa të voglën brenda”, u shpreh ai duke shtuar se kur dilnin jashtë për nevojë shoqëroheshin nga dy njerëz të armatosur.
Tutje dëshmitari tha se s`kanë guxuar t`i shikojnë ata që i mbanin peng.
“ Na s`kemi guxuar me i këqyrë kush janë, veç na kanë ruajtur. Kanë qenë me pushkë automatike. S`kemi guxuar as ta përmendim që jemi sëmurë. Nëse ke thanë që je sëmurë të kishin qit jashtë, të kishin vra menjëherë. S`kam ditur çka po ndodhë me neve”, theksoi ai.
Më pas ai tregoi se i kanë liruar dhe se pas dy-tre orësh i janë bashkuar kolonës për Prishtinë.
Dëshmitari tregoi se njëri nga personat që e kishin mbajtur peng në Zllash i ishte bashkuar kolonës bashkë me ta.
“Na kanë liruar, dhe i jemi bashkuar kolonës për të shkuar për Prishtinë. Një person me uniformë na ka hapë derën dhe kemi dalë. Na ka thënë kah doni shkoni jeni të lirë. E kam parë personin që na ka mbajtur që i ishte bashkuar kolonës dhe para meje ik`ke për Prishtinë”, u shpreh ai.
Seanca vazhdoi më pas e mbyllur.