Organizata joqeveritare “Demokracia në Veprim” bëri të ditur sot se rrethanat aktuale nuk mundësojnë zgjedhje të lira dhe të drejta në veri.
DnV vlerësoi se situata aktuale mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb.
“Përkundër shtyrjes së disahershme të ditës së zgjedhjeve dhe afateve për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, subjektet politike, në veçanti ato të komunitetit serb, nuk kanë shprehur vullnet për të qenë pjesë e garës zgjedhore. Madje, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90% të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. Për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhor të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, si dhe e mungesës së interesimit të tyre për të aplikuar, KQZ-ja po përballet me sfida në zhvillimin e përgatitjeve të nevojshme për të organizuar dhe administruar një proces të rregullt dhe të mirëfilltë zgjedhor. Paqartësitë lidhur me shfrytëzimin e qendrave ekzistuese të votimit, emërimin dhe trajnimin me kohë të komisionerëve, bartjen e materialeve zgjedhore janë disa nga problemet kyçe me të cilat pritet të ballafaqohen trupat menaxhuese të zgjedhjeve. Në përgjithësi, situata e sigurisë në katër komunat veriore vijon të jetë e brishtë.”, u bë e ditur në komunikatë.
Sipas DnV-së, dorëheqjet e zyrtarëve policor serbë në komunat veriore përbëjnë handikap të madh në garantimin e sigurisë, “veçanërisht gjatë procesit zgjedhor”.
DnV rikujtoi që krijimi i një ambienti të sigurt është parakusht thelbësor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.
“Në anën tjetër, për si rezultat i këtyre faktorëve, mund të pritet një mungesë e theksuar e interesimit të qytetarëve të komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo pritet të manifestohet edhe me dalje shumë të ulët në zgjedhje, që do të cenojë legjitimitetin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 23 prillit. Andaj, marrë parasysh situatën e tanishme në terren, DnV vlerëson që rrethanat e tanishme, nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta.”, bëri të ditur DnV.
Ndryshe, më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit. /KP/