Die. Nën 24th, 2024

“Do t’ishte e rrugës që të thirrej nga presidentja Vjosa Osmani” -poltikologu Melazim Koci

Politologu Melazim Koci në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se do të ishte e rrugës që takimin me krerët e partive politike, të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, të thirrej nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas tij, kjo pasi takimi i thirru nga kryeministri është refuzuar nga dy partitë opozitare LDK e AAK, për faktin se Albin Kurti është kryetar i partisë.

Ai ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që më vonë një takim i të gjithë krerëve të partive politike të realizohet nëse do të vijë nga presidentja Osmani.

“Çdo takim ndërmjet subjekteve politike është i mirëseardhur. Është evidente që Kosova në fazën e ardhshme do të ballafaqohet me sfida bukur të mëdha. Nuk jam i sigurt nëse pikërisht kryeministri është ai që do të duhej të thirrte takime të tilla. Është ide e mirë, por mendoj se do të ishte më e qëlluar nëse presidentja Osmani do të thirrte një takim të tillë me të gjitha partitë duke përfshirë edhe VV-në sepse kryeministri është palë, është kryetar i VV-së. Mendoj se si ide është e qëlluar. Nëse nuk do të ketë konsensus kësaj radhe për faktin që kanë refuzuar LDK e AAK, unë nuk e përjashtoj mundësinë që më vonë një gjë e tillë të realizohet, nëse do të vinte nga presidentja Osmani”, ka thënë ai.

Koci ka thënë se vendit në këtë kohë i duhet më shumë se kurrë një konsensus i partive politike rreth marrëveshjes franko-gjermane, përkatësisht Asociacioni dhe çështjes së dialogut.

“Mendoj që është imperativ një gjë e tillë për dy shkaqe, Kosovës aktualisht i duhet shumë, më shumë se kurrë një konsensus rreth dy çështjeve. E para është çështja e marrëveshjesh franko-gjermane përkatësisht Asociacioni që është brenda saj dhe e dyta çështja e dialogut. Është shumë e rëndësishme që klasa politke të unifikohet në një qëndrim rreth këtyre dy çështjeve, sepse kështu e forcon pozicionin negociator, qoftë në raport me Serbinë, qoftë në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *