Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vlerëson se situata me zjarret në vend është e qetë, pasi i shuan 175 vatra.
Në një status në Facebook, Rama ka folur për forcat që janë angazhuar për shuarjen e zjarrit, duke anashkaluar përmendjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Trupat Zjarrëfikëse nga Kosova, që më 9 gusht i dolën në ndihmë Kuksit në shuarjen e zjarrit mbi tunelin e Kalimashit dhe më gjerë.
“Pas 2 javësh në betejë me zjarret në të gjithë territorin e Shqipërisë, situata sot paraqitet me e qetë. Në të gjithë vendin janë shuar 175 zjarre, ndërsa mbeten aktive 9 vatra. Në këto operacione janë angazhuar rreth 3 mijë efektivë të Forcave të Armatosura, rreth 150 mjete të FA, rreth 300 forca policore, rreth 1800 forca zjarrfikëse, mbi 370 mjete të MZSH, 20 ambulanca, mbi 1 mijë punonjës bashkiakë, mbi 300 punonjës të shërbimit pyjor, 101 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe 822 forca vullnetare”, u shpreh ai.
Sipas tij, ndërhyrja nga ajri u krye përmes ekuipazheve të 7 helikopterëve të Shqipërisë, Holandës dhe Çekisë.
“Një ndihmë e madhe në punën për shuarjen e zjarreve ishte edhe mbështetja me pajisje nga SHBA”, theksoi ai.
Rama potencoi se aktualisht, nuk ka më vatra zjarri në gadishullin e Karaburunit, por puna po vijon në Dukat të Ri, nga toka dhe nga ajri për të normalizuar tërësisht situatën për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
“Më e qetë paraqitet situata edhe në Mirditë, ku po vijon puna për stabilizimin e flakëve në fshatin Thirrë. Nën kontroll po mbahen vatrat në fshatin Munellë dhe Domgjon. Po vijon puna nga toka dhe nga ajri për të izoluar vatrat e zjarrit në “Majën e Rrunës”, njësia administrative Malzi. Situata nuk paraqet më rrezik për tunelin e Kalimashit. Nën monitorim janë disa vatra zjarri në vendin e quajtur Dragodi, në Luginën e Valbonës në Tropojë, ku dyshohet zjarrvënie e qëllimshme. Janë izoluar vatrat në drejtim të fshatit Patalej në Lezhë. Vijon puna për normalizimin e vatrës së riaktivizuar në zonën e Mbrojtur te Guri i Nikës në Pogradec, ku nuk paraqitet rrezik për banesa. Janë drejt shuarjes përfundimtare vatrat e zjarrit në Malin e Tomorrit dhe në fshatin Therepel në Skrapar”, shkroi Rama duke cituar Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.