Shefi për Komunikim Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Sefer Isufi, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës do të dërgojë në Poloni një kontigjent me pjesëtarë të saj për një mision.
Ai ka deklaruar se janë duke punuar për të shikuar pjesëmarrjen edhe në misione të tjera.
“Pas përmbylljes së misionit të parë jashtë vendit, paralelisht për një periudhë kohore jemi në proces të krijimit të relatave dhe marrëveshjes për dërgimin e kontigjentit të ri me ushtarë në misione jashtë vendit, në Poloni, në kuadër të komandës amerikane për Evropë”.
“Por jemi në proces edhe të analizës dhe vlerësimit edhe për misone tjera jashtë vendit”.
Isufi ka theksuar se ushtarët e FSK-së në misionin e parë ushtarak jashtë vendit kanë treguar se Kosova është e gatshme të eksportojë siguri krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kontingjenti i parë në një mision jashtë vendit ka treguar fuqishëm se Kosova si vend që deri tash ka importuar siguri është e gatshme në mënyrë efektive të jetë krah për krah me partnerët tanë specifikisht me ShBA-të edhe si eksportuese e sigurisë”.
Koloneli ka pohuar se shuma e ndarë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të përmbush pritshmëritë e tyre për fazën e parë siç e quan ai të tranzicionit të këtij institucioni.
“Është një lajmë shumë i mirë jo vetëm për ne por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës sepse me këto mjete ne do të kemi mundësi të përmbushim dinamikën e paraparë të planit të tranzicionit për fazën e parë dhe për fillimin e fazës së dytë të tranzicionit në misionin e ri ushtarak”, ka thënë Isufi.