Ish-presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, po kërkon të aktiviziohet në dialogun Kosovë-Serbi.
Ai po synon ta marrë pozitën e emisarit special të Bashkimit Evropian, që aktualisht e mban Miroslav Lajçak.
Kështu po raporton gazeta sllovene Delo.
Pahor e themeloi institutin privat “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhjetorin e kaluar, kur i mbaroi statusi njëvjeçar si ish-president i Republikës.
Misioni i këtij instituti është integrimi i vendeve të rajonit në BE, nxitja e dialogut, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik.
Jozyrtarisht mësohet se ish-kreu i shtetit slloven, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europës, të udhëhequr nga ish-bashkëpartiakja e tij Tanja Fajon, po përgatitet të përparojë në postin e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, vlerësoi se ish-presidenti Borut Pahor, është një kandidat i përshtatshëm për ta zënë një pozicion të rëndësishëm dhe prestigjioz në Ballkanin Perëndimor, që konsiderohet si zonë strategjike e Sllovenisë, ndaj vendosën që rrjeti diplomatik slloven ta ndihmojë atë në kandidaturën e tij.
Gazeta Delo, tutje shkruan se vlerësimet jozyrtare janë se Pahor është kandidat i përshtatshëm që i plotëson kushtet për këtë pozitë.
Duhet theksuar se për pozitën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Borut Pahor, duhet ta paraqesë një kërkesë personale.
Sipas kësaj gazete, ai ende nuk e ka bërë këtë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, që drejtohet nga socialisti spanjoll Josep Borrell.
Mandati i Miroslav Lajçak skadon në fund të gushtit të këtij viti.
Për momentin, procesi i lobimit që ish-presidenti ta zë postin e të dërguarit special është në një fazë të ndjeshme.
Një pjesë e lobimit për Pahorinm po e kryen edhe Komiteti Këshillues i Institutit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Ky lobim përfshin ndër të tjera, ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton, ish-kryeministrin suedez dhe Përfaqësuesin e Lartë të OKB-së për Bosnjë-Hercegovinën, Carl Bildt , ish-kryeministren kroate Jadranka Kosor, ish-presidenten shqiptare Atifete Jahjaga, ish-presidentin serb, Boris Tadiq dhe koordinatorin kombëtar për Ballkanin Perëndimor, Pjetër Greku.