Die. Nën 24th, 2024

Gjykata cakton arrest shtëpiak për 14 policët e arrestuar dje në Vërmicë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në vazhdimësi Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkim me veprën penale Marrja e ryshfetit.

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P e ka refuzuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.

“Të pandehurve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në bazë të nenit 183 lidhur me nenin 187 par.1 nën paragrafi 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Dje në pikën kufitare në Vërmicë janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, prej tyre dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë. Arrestimi ndodhi gjatë operacionit të koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.

“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare ‘Perëndimi’ në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë. Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale. Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit ‘Pika 2’ ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ ‘marrje e ryshfetit’”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Inspektoratit Policorë dhe Porkurorisë Speciale.

Një operacion të ngjashëm dje është realizuar edhe nga policia e Shqipërisë, ku janë arrestuar 34 zyrtarë policorë në pikën Kufitarë në Morinë, pikë kjo nga e cila udhëtarët kalojnë në pikën kufitare në Vërmicë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *