Die. Nën 24th, 2024

Gjykata liron Agim Ademin

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Muharrem Rama, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje.

Ademi dhe Rama akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj.

Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.

Akrgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve Ademi dhe Rama, po ashtu mungoi edhe prokurorja Elza Bajrami.

Shpenzimet procedurale bien në barrë të gjykatës, ndërsa pala e dëmtuar ka të drejtë për realizimin e kërkesës pasurore-juridike brenda afatit ligjor.

Brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Të akuzuarit Ademi dhe Rama, më 7 nëntor 2022 në seancën e rigjykimit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihej barrë.

Për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo lëndë, fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu kishte pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.

Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *