Kërkesa e kamotshme e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) për formimin e grantit të katërt nuk është realizuar. Për këtë dështim, AKK po fajëson ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton Ekonomia Online.
Problem tjetër për nivelin lokal janë Kontrata kolektive e Ligji për Prokurim Publik.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për Ekonomia Online se formimi i grantit të katërt nuk është jetësuar ende dhe se dëmet janë të mëdha për nivelin lokal.
Ndonëse thotë se kanë marrë premtime nga Kurti e Murati për këtë Projektligj, të njëjtit e kanë tërhequr mbrapa.
“Granti i katërt në takimin që është mbajtur më shtator të vitit 2022 në atë kohë granti i katër përkatësisht që është Ligji për Financa Lokale ka qenë i paraparë të amandamentohet dhe të finalizohet dhe të aprovohet në kuvendin e Kosovës. Pas takimit që kryetarët e Komunave në atë kohë që kanë pas me kryeministrin Kurti prezent ka qenë edhe ministri Murati pas atij takimi pas disa javësh, ministri Murati ka vendos që ta tërheq projektligjin për Financa Lokale nga strategjia legjislative dhe në atë kohë është ndaluar të punohet në këtë projektligj. Kjo ka qenë kërkesa kryesore dhe është kërkesa kryesore e kryetareve të Komunave ku ne nuk kemi marrë përgjigje edhe pse kryeministri në takime paraprakë është zotuar se në të gjitha kërkesat e kryetareve do të ktheje përgjigje me shkrim deri më tani nuk ka ndodhur”, thotë Ibrahimi, teksa evidenton edhe një problem tjetër të komunave. Bëhet fjalë për kontratën kolektive kundrejt punonjësve të arsimit në Kosovë.
Kontrata kolektive parasheh disa përfitime financiare për punonjësit e arsimit – nga pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzimet e udhëtimit deri te paga shtesë pas pensionimit.
Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit.
“Problemi tjetër serioz ku komunat ballafaqohen jashtëzakonisht shumë me probleme financiare është kontrata kolektive. Edhe këtë vit me dhjetëra miliona euro kanë me ju marrë komunave padrejtësisht edhe pse kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror, këto janë dy kërkesa kryesore nga Komunat e Kosovës drejtuar nivelit qendror dhe ku kërkojnë zgjidhje po zgjidhje ende nuk kemi”, u shpreh Ibrahimi.
Dëme të mëdha sipas Ibrahimit po u shkakton edhe Ligji për Prokurim Publik, për shkak se Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk i kthen përgjigjet me kohë.
“Çështja tjetër është ligji për Prokurim Publik. Po kemi probleme sa i përket zbatimit të ligjit mbi Prokurimin Publik për shkak burokracive të parapara në ligjin aktual dhe në bashkëbisedim me kryetaret e komunave, Organi Shqyrtues i Prokurimit pothuajse në shumicën e rasteve nuk i kthen përgjigjet me kohe dhe pastaj po vonohen procedura. Problem tjetër që është identifikuar nga kryetaret e Komunave, është bartja me vonesë e mjeteve financiare nga niveli qendror në nivelin lokal”, tha Ibrahimi.