Die. Nën 24th, 2024

Haradinaj: Rahoveci e dëshmoi kontributin ndaj Atdheut përmes shumë luftëtarëve të zotë, sa që edhe historia do të rrëfejë për ta

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Komunën e Rahivecit.

Haradinaj ka thënë se betejat në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin e Malësi të Vogël, shënuan një kapitull të ri për Luftën.

“Rahoveci e ka dëshmuar kontributin ndaj Atdheut në luftën e fundit për liri përmes shumë luftëtarëve të zotë sa që edhe historia do të rrëfejë për ta tek brezat e ardhshëm. Me 12 maj 1998, pushkët e luftëtarëve të lirisë kumbuan në Anadrini. Betejat në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin e Malësi të Vogël, shënuan një kapitull të ri për Luftën Çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kujtuar edhe të rënët e 12 majit.

“Jo rastësisht 12 Maji shënohet si Ditë e Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit. Atë ditë ranë heroikisht, Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina. Një vit më pas, ra dëshmor një nga luftëtarët më të dalluar në rrethin e Anadrinisë, Bedrush Gashi. Sot, i shoqëruar nga kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, mora pjesë në manifestimin qendror kushtuar Ditës së Dëshmorëve, në Kompleksin Memorial në Gradish”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka kujtuar udhëheqësin e njësiteve të hershme guerile, Agron Rrahmanin dhe të rënët në Katundin e Ri të Pejës.

“Sot kujtojmë gjithashtu, në ditën e përjetësimit, udhëheqësin e njësiteve të hershme guerile të UÇK-së, Agron Rrahmani. Po ashtu, kujtojmë e nderojmë të rënët në Katundin e Ri të Pejës, të ekzekutuar nga dora e shtetit fashist serb. Kujtojmë rënien por dhe humbjen pa gjurmë të anëtarëve të familjes atdhetare Prelvukaj. Lavdi të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës ndër breza! Respekti dhe mirënjohja për sakrificën e tyre sublime do të jetë e përhershme!”, ka përfunduar Haradinaj.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *