Mar. Pri 15th, 2025

Haradinaj: Shteti serb duhet të japë llogari, kriminelët të marrin dënimin e merituar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e 14 prillit 1999, të kryer nga forcat serbe në lagjen “Bair” të Mitrovicës, ku dhjetëra shqiptarë të pafajshëm u vranë mizorisht.

“Më 14 prill 1999, në “Rrugën e kovaçëve” në lagjen “Bair” të Mitrovicës, forcat serbe kryen një nga masakrat më të rënda ndaj popullatës shqiptare. Fillimisht të konsideruar të zhdukur, trupat e tyre u gjetën më vonë në varreza masive, të shpërndarë në disa lokacione”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se është obligim i përhershëm që të kërkohet drejtësi për viktimat, ndërsa Serbia të japë llogari për krimet e kryera në Kosovë.

“Ata ia falën jetën Atdheut, në kohën kur liria po i afrohej çdo ditë e më shumë Kosovës. Është obligim i yni që të këmbëngulim për drejtësi. Shteti serb duhet të japë llogari, kriminelët të marrin dënimin e merituar”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj ka shprehur solidaritet me familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë krim të rëndë.

“Bashkëndjejmë me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ishim me ta, jemi sot e do të jemi përgjithmonë”, përfundon reagimi i Haradinajt.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *