Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vazhduar me kritika ndaj pushtetit të Kurtit.
“Ata që janë përgjegjës për qeverinë, ministritë dhe agjencitë buxhetore, nuk marrin përgjegjësitë dhe tallen me sektorin më vital të shtetit, Policinë, Ushtrinë. Përpos që u mohojnë paga të dinjitetshme, i lënë të përjashtuar nga kompensimet për orët shtesë e ndërrimet e natës.
Siguria në vend, e brishtë dhe e luhatshme sikurse është këto vite, e vënë në rrezik nga veprime të pakoordinuara. Përpos që ka destabilizuar çdo raport të ndërtuar me partnerët tanë të sigurisë, po vë në rrezik edhe mirëqenien e përditshme të njeriut me uniformë në Kosovë. Çmimet e rritura, faturat e fryra dhe pagat e njëjta ia pamundësojnë punën e dinjitetshme secilit, e sidomos këtyre kategorive që vënë në rrezik jetët e tyre. Prandaj dhe dëgjojmë çdo ditë që polici e ushtari po largohen nga detyrat e tyre fisnike për të siguruar mirëqenie familjare. Kjo katandisje vlerash është kryekëput rezultat i një qeverie që do mbahet mend për dëmin më të madh që i është bërë Kosovës së pasluftës”, ka shkruar ai në Facebook.