Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar në veri të Kosovë është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se presidenti serb ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit.
“Për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Ai ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai e ka minuar procesin e dialogut për njohje. Ai i ka urdhëruar serbët lokal të braktisin jetën institucionale. Ai i ka urdhëruar ata t’i braktisin zgjedhjet. Ai i ka mbështetur grupet kriminale dhe i ndikuar edhe nga Rusia, ka hartuar skenar për destabilizimin e Kosovës. Prandaj kërkesat e tij sot, janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se terrenin për këto veprime e ka krijuar politika shkurtpamëse e kryeministrit Kurti.
“E dhimbshme, por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe.
Me Serbinë ka veç një zgjidhje, njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues”, është shprehur Haradinaj.