Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se kanë bërë ndryshimet në Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas saj, me urgjencë kanë adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në konferencë për media, ajo u bëri thirrje partive politike që ta mbështesin këtë ligj.
Ministrja Albulena Haxhiu u zotua se janë të përkushtuar për të garantuar reformën në drejtësi.
Haxhiu: MD ka reaguar me urgjencë në adresimin e gjetjeve të Kushtetueses
“Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese me 29 korrik 2024, Ministria e Drejtësisë ka reaguar me urgjencë duke nisur adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese. Përkushtimi ynë është që të garantojmë reformën në drejtësi, sundimin e ligjit dhe pashmangshëm luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar e në këtë mënyrë të krijojmë një funksionalitet ligjor që reflekton drejtësinë por edhe që mbron interesin publik. Siç është theksuar një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi se konfiskimi civil në Republikën e Kosovës është kushtetues, duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe proporcional për luftimin e korrupsionit në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në institucionet publike”, deklaroi ajo.
Në konferencë për media, Haxhiu u shpreh se nuk kanë draftuar projektligj të ri por kanë adresuar katër çështje të Gjykatës Kushtetuese.
Haxhiu: Ne nuk kemi draftuar një ligj të ri
“Ne nuk kemi draftuar një ligj të ri, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk kemi pasur nevojë që të draftojmë një version të ri të ligjit por kemi adresuar vetëm katër çështje të cilat janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën sipas Gjykatës Kushtetuese. Çështja e parë, adresimi i retroaktivitetit të ligjit ka qenë një temë shumë e diskutuar por po ashtu edhe komplekse, e cila ka ngjallur debate të shumta. Gjykata Kushtetuese nuk e ka kundërshtuar parimisht retroaktivitetin e ligjit duke lejuar aplikimin e tij në raste kur është në interesin publik dhe kur kjo e respekton parimin e proporcionalitetit. Megjithatë, sipas Gjykatës Kushtetuese shtrirja e gjatë kohore e retroaktivitetit mund të krijojë sfida për palët e përfshira duke i vendosur ato në një situatë të pamundësisë objektive për të siguruar prova të cilat justifikojnë prejardhjen e pasurisë së tyre”, u shpreh Haxhiu.
Me ndryshimet e bëra, Haxhiu shtoi se kanë përfshirë konceptin e pamundësisë objektive, si një element kyç procedural. Veç kësaj çështje, ministrja Haxhiu tha se kanë adresuar edhe qartësinë e periudhës kohore për verifikimin e pasurisë.
Po ashtu, ajo tha se versioni me ndryshimet ka rikonstrukturuar komisionin mbikëqyrës.
Haxhiu: Do ta procedojmë në qeveri menjëherë pas deklaratave të Ministrisë së Financave dhe Zyrës së Kryeministrit
“Sapo t’i kemi deklaratat e Ministrisë së Financave dhe Zyra e Kryeministrit që ndërlidhen me deklaratën financiare dhe atë nëse ligji është në përputhje ne do ta procedojmë sërish versionin me ndryshime të Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas njoftimeve që i kam nga kabineti dhe nga zyrtarët përgjegjës brenda kësaj jave do të kemi dy deklaratat dhe menjëherë do ta procedojmë në qeveri e më pas në Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të procedohet nga qeveria”, theksoi ajo.
Më tej, Haxhiu kërkoi unifikim për miratimin e këtij ligji, për çka theksoi se është një nga ligjet më të rëndësishme që për qëllim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, ministrja e Drejtësisë kërkoi mbështetjen e grupeve parlamentare për të mbështetjen e këtij ligji.