Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për drejtor të përgjithshëm të policisë së shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.
Ministria e Brendshme ka publikuar listën me renditjen e kandidatëve për postin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit.
Në total në garë morën pjesë 15 kandidatë, nga të cilët vetëm 11 morën pjesë në intervistimin e komisionit të posaçëm, gjatë javës së kaluar. Në komisionin e vlerësimit bënin pjesë zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Suzana Hoxha dhe drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.
Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, komisioni i posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:
• Z. Altin Mena
• Z. Ardian Çipa
• Z. Ilir Proda
• Z. Neritan Nallbati
• Z. Skënder Hita (A2 Televizion)